Avokati Smakiqi: Pasoja e parë për Shkëlzen Gashin duhet të vijë nga MPB-ja, duke i revokuar shtetësinë e Republikës së Kosovës

Ekspozita skandaloze e ish-këshilltarit të Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi ka shkaktuar shumë bujë dhe reagime. Kjo pasi ai me këtë ekspozitë shtrembëroi faktet mbi masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Shumë reagime e kritikuan Gashin se kjo ekspozitë i shërben propagandës serbe, transmeton lajmi.net Në këtë çështje tashmë është inkudruar edhe Prokuroria…

Lajme

28/03/2026 18:59

Ekspozita skandaloze e ish-këshilltarit të Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi ka shkaktuar shumë bujë dhe reagime. Kjo pasi ai me këtë ekspozitë shtrembëroi faktet mbi masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Shumë reagime e kritikuan Gashin se kjo ekspozitë i shërben propagandës serbe, transmeton lajmi.net

Në këtë çështje tashmë është inkudruar edhe Prokuroria Speciale e cila tha se është duke përcjellur zhvillimet mbi këtë ngjarje.

Në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar me avokatin e njohur, Xhevdet Smakiqin, për ta pyetur në lidhje me pasojat ligjore që mund të përballet Gashi.

Smakiqi tha fillimisht se Gashi ka lënduar secilën familje të martirëve të Kosovës, por edhe popullin.

“Fillimisht, me shumë zemërim konsideroj se Shkëlzen Gashi, jo i vetëm, por edhe me mbështetjen financiare të institucioneve shtetërore si Kuvendi dhe MPJD-ja, i kanë lënduar secilën familje të martirëve të Kosovës, por edhe të gjithë popullin e saj, viktimë e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës së Serbisë së Millosheviqit.”, tha ai fillimisht.

Tutje, avokati tha se përgjegjësia është e Shkëlzen Gashit dhe se nuk bëhet fjalë për mosdije.

“Përgjegjësia është absolute, sepse Shkëlzen Gashi nuk ka gabuar; nuk bëhet fjalë për mosdije, por për një veprim të qëllimshëm të shtrembërimit të fakteve historike për masakrat ndaj civilëve dhe, në veçanti, për masakrën e Dubravës, duke pretenduar se kinse të burgosurit shqiptarë ishin të armatosur.”, shtoi ai.

Smakiqi u shpreh tutje se Gashi mund të dënohet deri në 5 vite burgim, nëse shpallet fajtor.

“Duke pasur parasysh se, edhe pas reagimeve publike, Shkëlzen Gashi nuk e pranoi gabimin dhe u mbështet në të dhënat e Natasha Kandiqit, kjo e rrit edhe më shumë përgjegjësinë e tij morale, profesionale, kombëtare, por edhe penale, pasi ekzistojnë elemente të veprës penale të mashtrimit nga neni 323 i KPRK-së, për të cilën mund të dënohet, nëse shpallet fajtor, deri në 5 vite burgim.”, tha ai.

Në fund, ai konsideroj se pasoja e parë për Gashin duhet të vijë nga Ministria e Punëve të Brendshme, për t’ia revokuar shtetësinë e Republikës së Kosovës.

“Megjithatë, unë konsideroj se pasoja e parë për Shkëlzen Gashin duhet të vijë nga MPB-ja, duke i revokuar shtetësinë e Republikës së Kosovës. Pasojat e veprës penale të mashtrimit sipas nenit 323 të KPRK-së, por edhe veprave të tjera që mund të rezultojnë gjatë hetimit nga PSRK-ja, tashmë janë shkaktuar nga ekspozita e publikuar nga Shkëlzen Gashi, ku duhet të ndiqen edhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar, pavarësisht pozitës.”, përfundoi ai./lajmi.net/