Luli i ‘Dardanëve’ u bën thirrje organeve të sigurisë: Të ndalohen keqbërësit e ndeshjes Kosovë-Turqi

Kryetari i tifogrupit Dardanët, Lulzim Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e krijuar rreth biletave për ndeshjen e shumëpritur mes Kosovls dhe Turqisë. Berisha bëri të ditur se sektori i “Dardanëve” është i tejmbushur dhe nuk ka më asnjë biletë në dispozicion, duke theksuar se ato janë shpërndarë ekskluzivisht për anëtarët me anëtarësim vjetor.…

Sport

28/03/2026 12:07

Kryetari i tifogrupit Dardanët, Lulzim Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e krijuar rreth biletave për ndeshjen e shumëpritur mes Kosovls dhe Turqisë.

Berisha bëri të ditur se sektori i “Dardanëve” është i tejmbushur dhe nuk ka më asnjë biletë në dispozicion, duke theksuar se ato janë shpërndarë ekskluzivisht për anëtarët me anëtarësim vjetor.

Ai shprehu shqetësim të thellë për raportimet se biletat po shiten në tregun e zi dhe, sipas tij, po përfundojnë edhe te tifozët mysafirë. “Kjo është e papranueshme dhe dëmton drejtpërdrejt atmosferën dhe interesin kombëtar në një ndeshje me rëndësi historike”, theksoi Berisha.

Kryetari i “Dardanëve” u bëri thirrje tifozëve që të mos bien pre e këtyre praktikave dhe të ruajnë unitetin në stadium, duke theksuar se mbështetja duhet të jetë e njëzëshme në të gjithë vendin.

Reagimi i plotë:

E kuptojmë interesimin marramendës, me përmasa të paimagjinueshme, për të siguruar bileta për ndeshjen ndaj Turqisë, mirëpo duam t’ju njoftojmë që te sektori ynë i Dardanëve nuk ka më asnjë në dispozicion. Biletat i kemi për anëtarët tanë, që kanë bërë anëtarësimin vjetor. Po ashtu, jemi të shqetësuar nga zërat që po qarkullojnë se biletat e Kosovës po shiten në tregun e zi dhe po përfundojnë te tifozët mysafirë.

Ju lutemi që ta respektoni peshën historike të ndeshjes dhe mos lejoni që të ndryshojë përbërja e tifozëve në stadium. Për këto zhvillime, ftojmë organet e rendit që t’i hetojnë ata që po i keqpërdorin biletat në tregun e zi dhe të ndalet kjo marrëzi.

Kosova, të martën, llogarit shumë edhe në zërin e tifozëve të vet. Ai duhet të ruhet uniform, nga veriu në jug dhe nga perëndimi në lindje. Nuk ka asnjë interes më të madh sesa interesi i Republikës, i cili është që ta sigurojmë ëndrrën verore drejt Kupës së Botës 2026.

Edhe njëherë, ftojmë Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me organet tjera të rendit dhe drejtësisë, të reagojnë ndaj keqbërësve.