Komuna e Prishtinës organizon aksion sot në orën 10:00, do të hiqet tabela e ekspozitës për masakrat

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se duke filluar nga ora 10:00, ekipet e kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”. Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës,. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara…

Lajme

28/03/2026 08:17

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se duke filluar nga ora 10:00, ekipet e kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”.

Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës,. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës, transmeton Klankosova.tv.

Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.

Fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.

Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera.

Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë.

Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga lista.