Kuvendi reagon për ekspozitën në Prishtinë: Përmbajtja është përgjegjësi e autorëve

Kuvendi i Kosovës ka reaguar pas polemikave të fundit lidhur me një ekspozitë të vendosur në sheshin e Prishtinës, për të cilën thuhet se përmban mospërputhje me të dhënat reale mbi numrin e të vrarëve nga masakrat e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Reagimi i Kuvendit vjen pasi organizatat “Admovere” dhe “Integra” kanë…

Lajme

27/03/2026 23:43

Kuvendi i Kosovës ka reaguar pas polemikave të fundit lidhur me një ekspozitë të vendosur në sheshin e Prishtinës, për të cilën thuhet se përmban mospërputhje me të dhënat reale mbi numrin e të vrarëve nga masakrat e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Reagimi i Kuvendit vjen pasi organizatat “Admovere” dhe “Integra” kanë deklaruar se ekspozita në fjalë është mbështetur edhe nga institucioni legjislativ.

Në një sqarim për media, Kuvendi thekson se, në përputhje me mandatin dhe praktikat e tij institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave.

“Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla”, thuhet në reagim.

Sipas Kuvendit, përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj, duke shtuar se kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk duhet të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur.

Megjithatë, institucioni thekson se mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, që kërkon trajtim të përgjegjshëm.

“Në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës”, përfundon reagimi.