The Guardian i kushton artikull të veçantë suksesit të Kombëtares së Kosovës
Kombëtarja e Kosovës është vetëm një ndeshje larg një arritjeje historike, kualifikimit për herë të parë në Kupën e Botës 2026, shkruan prestigjiozja britanike The Guardian. Pas një rruge mbresëlënëse në eliminatore, “Dardanët” siguruan finalen e “play-off”-it pas një fitoreje dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë në transfertë. Në atë ndeshje spektakolare, Kosova arriti të rikthehej dy…
Sport
Kombëtarja e Kosovës është vetëm një ndeshje larg një arritjeje historike, kualifikimit për herë të parë në Kupën e Botës 2026, shkruan prestigjiozja britanike The Guardian.
Pas një rruge mbresëlënëse në eliminatore, “Dardanët” siguruan finalen e “play-off”-it pas një fitoreje dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë në transfertë. Në atë ndeshje spektakolare, Kosova arriti të rikthehej dy herë në rezultat për të siguruar një triumf historik.
Tani, gjithçka do të vendoset në një përballje të vetme kundër Turqisë në Prishtinë, ku fituesi do të sigurojë një vend në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas The Guardian, rrugëtimi i Kosovës është një “përrallë futbolli”, duke pasur parasysh se shteti u pranua në FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016. Brenda pak më shumë se një dekade, skuadra ka kaluar nga debutimi në arenën ndërkombëtare në prag të një turneu madhor.
Trajneri Franco Foda dhe lojtarët kanë theksuar se skuadra duhet të mbetet e qetë dhe e fokusuar për ndeshjen vendimtare, megjithëse entuziazmi i tifozëve është i jashtëzakonshëm. Interesimi për këtë sfidë është aq i madh, sa stadiumi në Prishtinë nuk do të mjaftonte për të gjithë të interesuarit, shkruan tutje ky medium.
Një kualifikim i mundshëm do të ishte jo vetëm sukses sportiv, por edhe simbol i madh për shtetin më të ri në Evropë, duke treguar rritjen dhe unitetin përmes futbollit.