​Nxënësit e shkollës “Ismail Qemali” vaksinohen kundër HPV-së

Në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë sot është zhvilluar vaksinimi i nxënësve kundër HPV-së, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe ndërkombëtarë, të cilët theksuan rëndësinë e vaksinimit për shëndetin e vajzave dhe të rinjve. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama…

Lajme

27/03/2026 13:20

Në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë sot është zhvilluar vaksinimi i nxënësve kundër HPV-së, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe ndërkombëtarë, të cilët theksuan rëndësinë e vaksinimit për shëndetin e vajzave dhe të rinjve.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bëri të ditur se vaksinimi do të vazhdojë në të gjitha shkollat.

“Në të gjitha shkollat, ky është viti i tretë faktikisht që ne e bëjmë vaksinimin në të gjitha shkollat, edhe është nivel 89% për disa nga vaksinat. E kemi pak një problem me vaksinën për fruth sepse për shkak të disa dezinformatave një numër i prindërve edhe kanë refuzu që fëmijët e tyre me marrë këtë vaksine. Mirëpo jemi në diskutim e sipër nëpërmjet institucioneve të ndryshme që me ju tregu që nuk ka asnjë ndërlidhshmëri në mes vaksinës së fruthit edhe problemet që mendojnë që shkaktohen si rezultat. Pra është me rëndësi shumë të madhe që të gjithë të rinjtë, pra të gjithë nxënësit t’i marrin këto vaksina të cilat sot u ofrohen këtyre fëmijëve në të gjitha shkollat, për arsye se e vetmja arsye dhe e vetmja po them është për me mbrojt shëndetin e fëmijëve tanë edhe për me i mbrojt edhe më të ardhmen prej sëmundjeve potenciale të tjera të cilat vijnë si rezultat i mosmarrjes së këtyre vaksinave”, tha kryetari Rama.

Se kjo vaksinë është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të vajzave, tha përfaqësuesja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

“ Atëhërë kanceri në qafën e mitrës është një nga sëmundjet shumë të rrezikshme. Është sëmundja e katërt e cila merr jetë në të gjithë botën, por normal që kjo mund të parandalohet dhe kjo mund të parandalohet pikërisht me vaksinën e HPV-së, të cilën ju do ta merrni sot”, tha Vashchenko.

Ajo shtoi se UNICEF-i mbështet institucionet vendore në këtë proces dhe vlerësoi guximin e nxënësve që po vaksinohen.

Nga ana tjetër, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku theksoi rëndësinë e këtij procesi për brezat e rinj.

“Qëllimi i vizitës sot është me ju përkrahë juve, me ju tregu që jeni t’u bë një gjest shumë të mirë, t’u e mbrojt shëndetin e juaj, për arsye se e përmendi edhe Veronika, jeni t’u marrë një vaksinë, jeni me fat si fëmijë se jeni gjenerata e tretë në Kosovë që vaksinoheni për këtë sëmundje, e cila është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës. E kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë te femrat pas kancerit të gjirit. Prandaj kjo i bie që derisa nënat, motrat tona sot duhet me u kujdes për kancerin e qafës së mitrës, ju s’keni me pas nevojë fare se vaksina ju mbron nga kjo sëmundje”, tha Sadiku.

Autoritetet shëndetësore dhe partnerët ndërkombëtarë apeluan që prindërit dhe nxënësit të informohen drejt dhe të përkrahin vaksinimin, duke e cilësuar atë si një ndr mënyrat më efektive për parandalimin e sëmundjeve dhe sigurimin e një të ardhmeje më të shëndetshme për gjeneratat e reja në Kosovë.