DnV: Zvarritja e emërimit të anëtarëve të KQZ-së dëmton funksionalitetin e institucionit
Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim” (DnV), ka kritikuar vendimin e Presidentes për t’i referuar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Gjykatën Kushtetuese. Sipas DnV-së, ky veprim po vonon kompletimin e institucionit në një moment kur funksionaliteti i tij është thelbësor për integritetin e proceseve…
Lajme
Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim” (DnV), ka kritikuar vendimin e Presidentes për t’i referuar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Gjykatën Kushtetuese. Sipas DnV-së, ky veprim po vonon kompletimin e institucionit në një moment kur funksionaliteti i tij është thelbësor për integritetin e proceseve zgjedhore.
DnV thekson se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në kuadrin kushtetues dhe ligjor përmes modelit strikt të përfaqësimit, që garanton balancën ndërmjet grupeve parlamentare me të drejtë propozimi. Ky model nuk varet nga rezultati zgjedhor apo pesha politike e subjekteve, por nga parimi i ekuilibrit në përbërjen e Komisionit.
“Praktika e mëhershme, përfshirë pas zgjedhjeve të vitit 2021, ka treguar se përbërja e KQZ-së është vendosur mbi bazën e këtij modeli strikt, duke kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Ky standard ka garantuar funksionimin e balancuar të institucionit,” thuhet në deklaratën e DnV-së.
Koalicioni thekson se referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese nuk po sjell qartësi shtesë, por po shkakton vonesa që dëmtojnë funksionimin e KQZ-së. Aktualisht, përbërja e plotë e këtij institucioni prej 11 anëtarësh nuk është e kompletuar, çka cenon vendimmarrjen dhe besueshmërinë e tij.
DnV bën thirrje që emërimi i anëtarit të mbetur të KQZ-së të përmbyllet pa vonesa, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet e vendosura në praktikë, për të garantuar funksionalitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor. /Lajmi.net/