Prishtinë: Aktakuzë ndaj 8 personave për ryshfet dhe falsifikim me certifikata armësh

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tetë të pandehurve për disa vepra penale, pas zhvillimit të hetimeve dhe analizimit të provave. Sipas njoftimit, të pandehurit F.G. dhe M.G. dyshohen për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”. Ndërsa S.B., R.M. dhe H.N. akuzohen për “Falsifikim të dokumentit”.…

Lajme

25/03/2026 13:31

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tetë të pandehurve për disa vepra penale, pas zhvillimit të hetimeve dhe analizimit të provave.

Sipas njoftimit, të pandehurit F.G. dhe M.G. dyshohen për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”. Ndërsa S.B., R.M. dhe H.N. akuzohen për “Falsifikim të dokumentit”. Po ashtu, B.H., S.B. dhe B.G. ngarkohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Raste të posaçme të falsifikimit të dokumentit”.

Sipas aktakuzës, F.G., në cilësinë e menaxherit në një poligon, ka pranuar 600 euro ryshfet për t’i siguruar një kandidati certifikatë për përdorim të armëve të zjarrit, pa ndjekur trajnimin dhe pa kaluar provimet përkatëse.

Ndërkaq, M.G. dyshohet se ka ndihmuar në këtë skemë, duke mundësuar pajisjen e kandidatëve me certifikata në mënyrë të kundërligjshme.

Tutje, S.B., R.M. dhe H.N., si instruktore në një poligon në Prizren, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke nënshkruar certifikata për persona që nuk i janë nënshtruar trajnimeve.

Sipas Prokurorisë, edhe administratorja B.G. ka plotësuar dokumente dhe ka nënshkruar në emër të kandidatëve pa praninë e tyre, duke shkelur procedurat ligjore.

Prokuroria njofton se veprimet janë në kundërshtim me Ligjin për Armë dhe udhëzimet përkatëse administrative.