Mblidhen akterët e drejtësisë për finalizimin e Reformës në Drejtësi

Në një punëtori treditore të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, janë mbledhur përfaqësues të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë për të diskutuar pakon ligjore që rrjedh nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit. Punëtorinë e hapi zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, i cili theksoi rëndësinë e avancimit të reformave në këtë sektor, transmeton…

Lajme

24/03/2026 19:17

Në një punëtori treditore të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, janë mbledhur përfaqësues të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë për të diskutuar pakon ligjore që rrjedh nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit.

Punëtorinë e hapi zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, i cili theksoi rëndësinë e avancimit të reformave në këtë sektor, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, projektligjet në shqyrtim synojnë të forcojnë mekanizmat e kontrollit të integritetit, vlerësimit të performancës dhe disiplinimit për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe të avancojnë rolin e Akademisë së Drejtësisë dhe programeve të trajnimit.

Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Policia e Kosovës, si dhe partnerë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile.

Nimoni theksoi se miratimi dhe zbatimi i këtyre projektligjeve përbën një obligim të rëndësishëm në kuadër të Planit të Rritjes, nga i cili parashihet mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve që punëtoria të shërbejë si platformë për harmonizimin e qëndrimeve dhe për arritjen e objektivave konkrete në funksion të forcimit të sistemit të drejtësisë.

Komunikata e plotë: 

Mblidhen akterët e sistemit të drejtësisë për finalizimin e Reformës në Drejtësi
Sot, Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, ka hapur punëtorinë treditore për pakon ligjore që rrjedh nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Policia e Kosovës si dhe përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij hyrëse, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e kësaj punëtorie:
“Krahas nismave të tjera reformuese, këto projektligje kompletojnë tutje ndërmarrjen e gjerë për reformën e plotë të sistemit të drejtësisë, duke krijuar dhe forcuar mekanizmat e kontrollit të integritetit, vlerësimit të performancës, sistemit të disiplinimit për gjyqtarë dhe prokurorë, por gjithashtu standardizojnë dhe avancojnë rolin e Akademisë së Drejtësisë dhe programeve trajnuese për gjyqtarë dhe prokurorë”, tha Zëvendësministri Nimoni.
Tutje, Zëvendësministri Nimoni shtoi se miratimi dhe zbatimi i këtyre projektligjeve përbën një detyrim të rëndësishëm në kuadër të instrumentit të Planit të Rritjes, prej të cilës parashihet mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
Në përmbyllje, Zëvendësministri u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve që kjo punëtori të shërbejë si platformë konstruktive për diskutim dhe harmonizim të qëndrimeve, me objektiva të qarta.
“Besoj se të gjithë pajtohemi dhe do të ishte e pafalshme për neve që kemi përgjegjësi zhvillimin dhe forcimin e sistemit tonë të drejtësisë, që në të ardhmen të kemi gjyqtarë dhe prokurorë të cilët kanë probleme me integritetin dhe janë jo kompetent e jo produktiv, si dhe të kemi mekanizma që janë jo efektiv dhe jo llogaridhënës”, përfundoi zëvendësministri Nimoni./lajmi.net/