Tragjedi në rrugët e Kosovës: Pesë persona humbën jetën në aksidente, në pesë ditët e fundit

Gjatë pesë ditëve të fundit, pesë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku në vende të ndryshme të Kosovës. Rasti më i fundit është regjistruar të dielën rreth orës 18:20 në rrugën Prizren–Gjakovë, në fshatin Piranë, ku një drejtues automjeti dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një këmbësor, i cili si pasojë e plagëve ka…

Lajme

24/03/2026 17:46

Gjatë pesë ditëve të fundit, pesë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku në vende të ndryshme të Kosovës.

Rasti më i fundit është regjistruar të dielën rreth orës 18:20 në rrugën Prizren–Gjakovë, në fshatin Piranë, ku një drejtues automjeti dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një këmbësor, i cili si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një tjetër aksident fatal ka ndodhur, më 19 mars në fshatin Nadakoc të Vushtrrisë, ku janë përfshirë tri vetura,  dy civile dhe një zyrtare e policisë si dhe një këmbësor. Viktima ka ndërruar jetë në vend, ndërsa një nga drejtuesit e veturave është ndaluar si i dyshuar për shkaktimin e aksidentit.

Po atë ditë, në Prizren, në rrugën “Transiti i vjetër”, një drejtues motoçiklete ka humbur jetën pasi është përfshirë në një aksident trafiku, transmeton indeksonline. Vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq, më 18 mars në Prizren, një këmbësor është goditur në vendkalim nga një veturë dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i automjetit është arrestuar.

Po ashtu, një aksident tjetër fatal është regjistruar më 18 mars në magjistralen Podujevë–Prishtinë, ku një drejtues motoçiklete ka humbur kontrollin dhe është përplasur në një shtyllë elektrike, duke ndërruar jetë në vend.

Në të gjitha rastet, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidenteve janë duke vazhduar.

Këto raste të njëpasnjëshme ngritin shqetësim për sigurinë në trafik dhe bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.