PDK akuzon presidenten Osmani për shkelje të Kushtetutës: Mos emërimi i anëtarit të dytë në KQZ cenon demokracinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve
Sekretari për Anëtarësi dhe Financa i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar të martën për mos emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e cilësuar këtë veprim si cenim të kushtetutshmërisë, demokracisë dhe të vetë procesit zgjedhor nga ana e presidentes Vjosa Osmani. Gjoshi në një…
Lajme
Sekretari për Anëtarësi dhe Financa i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar të martën për mos emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e cilësuar këtë veprim si cenim të kushtetutshmërisë, demokracisë dhe të vetë procesit zgjedhor nga ana e presidentes Vjosa Osmani.
Gjoshi në një konferencë për media, tha se refuzimi i Osmanit dhe referimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese përbën një dëmtim të qëllimshëm të përfaqësimit të PDK-së në KQZ dhe dobësim të rolit të opozitës në këtë fazë kritike politike.
“Presidentja Osmani, në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së, pra kandidatët në shumës dhe jo vetëm një të vetëm, siç e ka certifikuar më pas. Për këtë, ajo ka përgjegjësinë të sqarojë publikisht arsyen e këtij ndryshimi në momentet e fundit dhe përse ka ndaluar emërimin e anëtarëve të PDK-së,” tha Gjoshi.
Ai theksoi se mos emërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së bie ndesh me nenin 139, paragrafi 4 të Kushtetutës, që përcakton qartë se 6 anëtarë të KQZ-së emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare shqiptare, përkatësisht LVV, PDK, LDK dhe AA, shkruan lajmi.net.
“Kushtetuta siguron përfaqësim proporcional për partitë më të mëdha. Meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë vetëm katër grupe parlamentare shqiptare, anëtarët shtesë duhet të emërohen nga grupet më të mëdha, pra LVV dhe PDK,” sqaroi Gjoshi.
Ai paralajmëroi se PDK do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të siguruar të drejtën e saj për përfaqësim në KQZ, duke e konsideruar këtë çështje thelbësore për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike të vendit.
Gjoshi rikujtoi se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në vitin 2021, kur Osmani ishte përpjekur të pamundësonte emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së, por Gjykata Kushtetuese nuk e kishte aprovuar këtë kërkesë, duke parandaluar një precedent të rrezikshëm për kapjen politike të institucionit të zgjedhjeve.
Ai shtoi shqetësimin se pas datës 4 prill, kur ushtruese e detyrës së presidentit do të vendoset Albulena Haxhiu, kjo mund të rrisë rrezikun që PDK-së t’i mohohet e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë, duke e detyruar partinë që përsëri t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Një person me bagazh antikushtetues dhe antiligjor mund të vendosë arbitrarisht kundër PDK-së, ndërsa LVV praktikisht do të mund të krijojë shkelje dhe abuzime në procesin zgjedhor,” paralajmëroi Gjoshi, duke kujtuar edhe raste të mëparshme të shkeljeve nga LVV gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, 12 tetorit dhe 28 dhjetorit 2025.
Ai përfundoi duke thënë se veprimet e Osmanit dhe LVV-së në këtë fazë krijojnë rrethanat për shkelje të mundshme të ligjit dhe manipulim të procesit zgjedhor në të ardhmen, duke vënë në rrezik besueshmërinë e institucioneve të vendit dhe të zgjedhjeve demokratike. /Lajmi.net/