Osmani sfidon praktikat e vjetra, VV kërkon anëtarin e tretë – Kushtetuesja e konfirmon se presidentja kërkoi sqarim për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për lajmi.net, dorëzimin e kërkesës nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të sqaruar…

Lajme

24/03/2026 13:34

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës sqarime lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thënë se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë seç parashikohet me Kushtetutën e vendit.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për lajmi.net, dorëzimin e kërkesës nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të sqaruar ligjshmërinë e emërimeve të fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në përgjigjen për lajmi.net, Gjykata deklaroi:

“Konfirmojmë dorëzimin e kërkesës nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Kjo lëndë aktualisht është duke u proceduar”.

Osmani, të cilës i mbaron mandati më 4 prill, nuk i ka emëruar ende anëtarët e rinj të KQZ-së, pavarësisht se afati ligjor po kalon, paralajmërojnë ekspertët dhe kjo lëvizje vjen pikërisht pak ditë para përfundimit të mandatit të Osmani-t dhe pasqyron ndryshimin e praktikës që ajo kishte ndërtuar më parë për emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Ndryshe nga vendimi i vitit 2021, ku dy partive më të mëdha shqiptare u caktoheshin nga dy anëtarë, këtë herë PDK-ja ka mbetur e dëmtuar, pasi Osmani ka emëruar vetëm një nga dy kandidatët e propozuar (Ilir Gashi), duke lënë jashtë kandidatin tjetër, Rashit Qalaj.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 2 nga 3 përfaqësuesit e propozuar (Alban Krasniqi dhe Violeta Salihu), ndërsa anëtarët e tjerë të emëruar janë: Sami Hamiti (LDK), Muharrem Nitaj (AAK), Stefan Filipoviq (LS), Mufera Sinik (KDTP), Delvir Tairi (KV) dhe Shukrije Stoall (PSA). Betimi i këtyre 9 anëtarëve do të bëhet më 27 mars 2026, ora 11:00.

Pse LVV-ja po kërkon tre anëtarë në KQZ?

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që t’i caktohet anëtari i tretë në KQZ, sipas nenit 139 të Kushtetutës. Partia argumenton se pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, pjesa e saj e votave i jep të drejtën për gjysmën e ulëseve të caktuara për subjektet shqiptare në komision. Kjo kërkesë ka krijuar një situatë të re në përbërjen e KQZ-së dhe ka lënë PDK-në pa anëtarin e dytë.

Ndryshimi i praktikës së emërimeve dhe impakti-

Në vitin 2021, Osmani kishte ndjekur praktikën që dy partive më të mëdha t’u caktoheshin dy anëtarë në KQZ, duke ndërtuar një standard që tani është ndryshuar. Ndërhyrja e saj ka hapur diskutime mbi ligjshmërinë e vendimeve dhe përputhshmërinë me ligjin për zgjedhjet në Kosovë.

Kërkesa e Presidentes Osmani është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për sqarim, dhe tani lënda është duke u proceduar, duke treguar se çështja e anëtarit të tretë të LVV-së në KQZ do të vendoset nga interpretimi i organit më të lartë kushtetues.

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, pra kryetari dhe 10 anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin Serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit u certifikuan më 9 shkurt.

Në fillim të muajit, koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), i kishte bërë thirrje presidentes të përshpejtojë me emërimin e anëtarëve të rinj brenda afatit ligjor./Lajmi.net/