I dyshuari për plagosjen e inspektorit të IPK-së mbrëmë në Prishtinë mbetet në kërkim

Policia e Kosovës është deklaruar edhe një herë në lidhje me të shtënat me armë mbrëmë në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë Njësitë policore i janë përgjigjur një rasti për të shtëna me armë zjarri dhe më të arritur në vendin e ngjarjes kanë takuar viktimën mashkull, i cili ishte plagosur. “Lidhur me rastin është…

Lajme

24/03/2026 08:53

Policia e Kosovës është deklaruar edhe një herë në lidhje me të shtënat me armë mbrëmë në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë

Njësitë policore i janë përgjigjur një rasti për të shtëna me armë zjarri dhe më të arritur në vendin e ngjarjes kanë takuar viktimën mashkull, i cili ishte plagosur.

“Lidhur me rastin është identifikuar personi i dyshuar mashkull kosovar i cili ndodhet në kërkim policor.”.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime.

I plagosur në këtë rast është inspektori i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arsim Beqiri.

Kurse nga IPK-ja kanë deklaruar për lajmi.net se incidenti nuk lidhet me detyrën zyrtare të inspektorit.

“IPK ju konfirmon se në incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në Rrugën ‘B’ në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën e tij zyrtare. Aktualisht Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet, ndërkohë që i dyshuari është tashmë identifikuar”, deklaroi zëdhënësi Arbër Beka.

Kurse Arsim Beqiri, i cili u plagos sonte në Rrugën “B”, ndodhet në gjendje stabile.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, drejtori i Emergjencës, Naser Syla, i cili bëri të ditur se Beqiri është jashtë rrezikut për jetë.

“Është sjellë një i plagosur në Qendrën Emergjente, i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij është stabile për momentin dhe jashtë rrezikut për jetë. Pas ekzaminimeve në Qendrën Emergjente, ai do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë”, deklaroi Syla.

Kurse siç u raportua mbrëmë Agon Dulla, është i dyshuari për plagosjen me armë zjarri të inspektorit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Arsim Beqiri, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë./Lajmi.net/