Dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

Sot bëhen 27 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit të vitit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. Atë natë u ndez…

Lajme

24/03/2026 08:37

Sot bëhen 27 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit të vitit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Atë natë u ndez flakë e tërë Çarshia e vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra civilë të pafajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, djegiet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare.

Në Çarshinë e vjetër të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit, rrobaqepësit, zhgunaxhinjt, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët, qeleshepunuesit, gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, cergaxhinjtë e çibukxhinjtë.

Ekspertët kanë vlerësuar se Çarshia e Madhe, siç njihet ndryshe, paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Ajo ishte një qendër e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks i madh kulturor, historik e fetar në mbarë vendin.

Më 1999 u dogj me të gjitha përmendoret kulturore historike në të, por u rindërtua pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare.