“Nga 1.59-1.72 euro për litër” – MINT tregon çmimet e naftës në pompa derivatesh, thonë se po i monitorojnë vazhdimisht

Që nga fillimi i luftës mes SHBA-ve dhe Iranit, dhe bllokimit të ngushticës së Hormuzit, çmimet e naftës janë rritur shumë edhe në Kosovë. Këto çmime të naftës tani janë bërë edhe të “paarritshme” për qytetarët, për shkak se kanë sjell rritje zingjirore edhe të biletave të autobusit dhe produkteve të tjera. Gjatë fundjavës, çmimi…

Lajme

23/03/2026 14:38

Që nga fillimi i luftës mes SHBA-ve dhe Iranit, dhe bllokimit të ngushticës së Hormuzit, çmimet e naftës janë rritur shumë edhe në Kosovë.

Këto çmime të naftës tani janë bërë edhe të “paarritshme” për qytetarët, për shkak se kanë sjell rritje zingjirore edhe të biletave të autobusit dhe produkteve të tjera.

Gjatë fundjavës, çmimi nëpër pompa derivatësh arriti deri në 1 euro e 71 cent e në disa vende edhe deri në 1 euro e 80, e cila qe rritje ekstreme.

E në lidhje me këtë, lajmi.net ka pyetur Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Industrisë se cila është situata me çmimet e derivateve dhe kontrollet që po bëhen.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ju njofton se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, të datës 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg”, ka thënë MINT.

Ata kanë thënë se QPMT bashë me ATK-në, po analizojnë të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

“Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë, (datë: 21.03.2026), ka qenë si në vijim:

  • Naftë (Dizel): 1.70 €/litër;
  • Benzinë: 1.40 €/litër;

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor, sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:

  • Naftë (Dizel): nga 1.59 €/litër deri në 1.72 /litër;
  • Benzinë: nga 1.38 €/litër deri në 1.44 /litër”, ka thënë MINT për lajmi.net. 

Ata kanë thënë se marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:

  • dy (2) euro/centë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe
  • dymbëdhjetë (12) euro/centë për litër të produktit të shitur me pakicë.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi. Për çdo zhvillim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë”, ka thënë MINT.

Deri tani, që nga rritja e çmimit të naftës në asnjë moment nuk ka rënë ai por vetëm ka pësuar ngritje. /Lajmi.net/