Haradinaj: Në gjithë periudhën e jonormalitetit politik e institucional, viktimë ka qenë qytetari i Kosovës – Koha që ai ta marrë fatin në duart e tij
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar në lidhje me situatën politike dhe ekonomike në vend, të cilën e ka parë si “jonormalitet” e që ka thënë se është shndërruar në mënyrë jetese. Ai ka thënë se vendi për një vit të tërë po udhëhiqet në kundërshtim me të gjitha normat ligjore e kushtetuese, është…
Lajme
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar në lidhje me situatën politike dhe ekonomike në vend, të cilën e ka parë si “jonormalitet” e që ka thënë se është shndërruar në mënyrë jetese.
Ai ka thënë se vendi për një vit të tërë po udhëhiqet në kundërshtim me të gjitha normat ligjore e kushtetuese, është vendi i vetëm më parlament të zgjedhur por të pezulluar, dhe vendi ku temat politike bëhen kryefjalë e debatit publik dhe është harruar jeta e njeriut të zakonshëm.
“Atij njeriu i cili detyrohet të gjejë strehë ekzistence nëpër botë e atje të kryejë punë të rënda, që jo rrallë i kushtojnë edhe me jetë, siç ishte rasti i tre qytetarëve fatkeqë që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë. Më nuk po flasim për vargun e njerëzve që po e braktisin Kosovën. Për ata që nuk e lidhin fillimin me fundin e muajit. Që tryezën e kanë përditë e më të varfër. Për pushtetin që e shtrenjton rrymën sa herë që i teket. Për zhgënjimin e prindërve me sistemin shkollor të fëmijëve të tyre. Për të sëmurët që shërimin e kanë të papërballueshëm”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se është e dhimbshme se si ndihmat prej 100 eurove në prag të zgjedhjeve të cilat i ka parë ai si lëmoshë janë shndërruar në mrekullinë e “çudibërësit”.
“Si ndodhi që u zhdukën nga fjalori e preokupimi ynë investimet kapitale apo investimet e huaja? U harruan qindra tenderë njëburimorë, apo projektet e filluara vite më parë e që nuk po përfundojnë. Ata që nuk janë të zotët të kryejnë punë, zakonisht arsyetohen se Kosova nuk është Zvicër as Gjermani, por sa u përket çmimeve, shpeshherë jemi më Zvicër e Gjermani se sa ato vetë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se Kosova është i vetmi vend që brenda një viti i mbajmë katër palë zgjedhje dhe e bllokojnë zgjidhjen e na çojnë prap në zgjedhje, ndërsa një parti politike e vetme veç për propagandë shpenzon mbi 4 milionë euro për zgjedhje e shumë miliona të tjerë nga ata që janë të obliguar t’i organizojnë zgjedhjet, të gjitha këto para të taksapaguesve.
“Në gjithë këtë periudhë kohe të jonormalitetit politik e institucional, viktima e vetme ka qenë qytetari i Kosovës. Ai është varfëruar, ai është përballur me sfidën e mbijetesës, ai ka emigruar… Prandaj sot është koha që ai ta marrë fatin në duart e veta. Këtë gjendje të rënduar mund ta ndryshojë vetëm sovrani dhe kjo bëhet vetëm duke ndëshkuar fajtorët për gjendjen në të cilën është. Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur. Këtu mund të sigurohet e ardhmja e sigurt jo vetëm për ne që jetojmë këtu, por edhe për ata qindra mijëra qytetarë që sot janë në diasporë. Unë kam shpresë për ditë më të mira!”, ka shtuar i pari i AAK-së. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: