Javë tragjike për Kosovën, tri vrasje brenda 7 ditëve
Një javë e rëndë dhe tragjike ka qenë ajo që kemi lënë pas. Që nga e hëna e deri dje, tri vrasje të rënda janë regjistruar në Kosovë. Java e kaluar ka nisur me lajm të keq, kur në orët e para të mëngjesit në Gjakovë një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur.…
Lajme
Një javë e rëndë dhe tragjike ka qenë ajo që kemi lënë pas. Që nga e hëna e deri dje, tri vrasje të rënda janë regjistruar në Kosovë.
Java e kaluar ka nisur me lajm të keq, kur në orët e para të mëngjesit në Gjakovë një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur. Viktima nga ky rast është Rasim Binakaj rreth 38 vjeçar, ndërsa u plagos Edi Mehmeti, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Sipas të dhënave fillestare, viktima dhe i dyshuari, Nexhdet Zymberaj – pronar i lokalit “My Place” – kishin qenë shokë, ndërsa dyshohet se ngjarja ndodhi pas një konflikti brenda një lokali. Në vendin e ngjarjes policia gjeti pesë gëzhoja dhe një thikë, duke treguar për një përshkallëzim të dhunës.
Fillimisht, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe ishte në kërkim, por në orët e pasdites (rreth 16:30) ai u vetëdorëzua në Stacionin Policor në Gjakovë. Me vete dorëzoi edhe armën e dyshuar të krimit – një pistoletë TT me një karikator – e cila u sekuestrua si provë materiale.
Pas intervistimit në prani të avokatit, i dyshuari zgjodhi të mbrohet në heshtje. Me vendim të prokurorit për krime të rënda, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje e paautorizuar e armëve”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur qytetin e Gjakovës.
Një vrasje tjetër ka ndodhur të shtunën më 21 mars, në fshatin Bokshiq të Klinës.
I dyshuar për këtë rast është Jetmir Isufi i cili dyshohet se ka vrarë vëllain e tij Faruk Isufin, shkruan lajmi.net.
Dorasi ishte arrestuar menjëherë pas rastit, ndërkaq dje Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit. Siç është raportuar në media, motivi i kësaj vrasje del të ketë qenë një fjalosje për një pronë.
Vrasje edhe më e rëndë dhe tragjike ka ndodhur dje në fshatin Majac të Podujevës.
E dyshuara Ardita Gashi, fillimisht ka vrarë një burrë me emrin Ilaz Brahimi i cili në media është raportuar të ketë qenë i dashuri i saj. Pas tij, e dyshuara e ka plagosur edhe gruan e agjës së saj, Miradije Gashin e cila është dërguar në QKUK por nuk i ka mbijetuar plagëve të marra dhe dje pas mesnate ka ndërruar jetë.
Pas këtyre të shtënave me armë që i morën jetën dy personave, Ardita Gashi është ngujuar në një objekt dhe ka goditur veten me armë. Ajo gjithashtu është dërguar në QKUK për trajtim por nuk ka arritur t’i mbijetoj plagëve të marra, dhe sot ka ndërruar jetë.
Vrasja e trefishtë që ka ndodhur dje në Podujevë ka tronditur mbarë vendin, ndërsa numri i madh i vrasjeve që kanë ndodhur këtë javë nga të cilat kanë humbur jetën tre persona janë alarmuese për shoqërinë dhe institucionet. /Lajmi.net/