Spitali “Isa Grezda” deklarohet për vdekjen e gruas që ra nga Ura e Moglicës në Gjakovë
Një grua ka humbur jetën pasi ka rënë nga Ura e Moglicës në Gjakovë, ndërsa rasti është konfirmuar nga Spitali “Isa Grezda”. Sipas njoftimit të spitalit, pacientja është dërguar në Shërbimin e Emergjencës më 21 mars 2026, rreth orës 20:15, nga ekipi i Urgjencës së Mjekësisë Familjare, në gjendje shumë të rëndë. “Më datë 21.03.2026,…
Lajme
Një grua ka humbur jetën pasi ka rënë nga Ura e Moglicës në Gjakovë, ndërsa rasti është konfirmuar nga Spitali “Isa Grezda”.
Sipas njoftimit të spitalit, pacientja është dërguar në Shërbimin e Emergjencës më 21 mars 2026, rreth orës 20:15, nga ekipi i Urgjencës së Mjekësisë Familjare, në gjendje shumë të rëndë.
“Më datë 21.03.2026, rreth orës 20:15, në Shërbimin e Emergjencës në Spital është sjellë nga ekipi i Urgjencës së Mjekësisë Familjare një paciente femër, me shenja jete, në gjendje të rëndë politraume dhe e pavetëdijshme”, thuhet në deklaratë.
Sipas të njëjtit njoftim, gjendja e saj në momentin e pranimit ishte kritike.
“Në momentin e pranimit, pacientja paraqitej në gjendje të rëndë të përgjithshme, me tension arterial 210/100 mmHg”.
Mjekët kanë ndërmarrë menjëherë të gjitha procedurat emergjente në përpjekje për ta stabilizuar.
“Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat emergjente sipas protokolleve në fuqi, përfshirë intubimin endotrakeal dhe fillimin e reanimimit kardiopulmonar (RKP)”.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacientja nuk ka arritur të mbijetojë.
“Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit dhe reanimimit të vazhdueshëm, pacientja nuk ka reaguar ndaj terapisë dhe ka ndërruar jetë në orën 21:20”, thuhet në deklaratën e spitalit.