Lëshimet e Kurtit tek Ligji për të Huajt – BE zbulon prapaskenat e marrëveshjes: Dakordimet nuk bëhen gjithmonë me nënshkrime

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka dhënë detaje mbi procesin negociues që i parapriu dakordimit të fundit mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me zbatimin e ligjit për të huajt dhe atij për automjetet. Sipas tij, bisedimet nuk janë zhvilluar në formën klasike të marrëveshjeve të shkruara dhe të…

Lajme

21/03/2026 14:51

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka dhënë detaje mbi procesin negociues që i parapriu dakordimit të fundit mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me zbatimin e ligjit për të huajt dhe atij për automjetet.

Sipas tij, bisedimet nuk janë zhvilluar në formën klasike të marrëveshjeve të shkruara dhe të nënshkruara, por përmes koordinimeve të vazhdueshme ndërmjet palëve të përfshira. Orav theksoi se në këto diskutime kanë marrë pjesë ekspertë të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues nga ambasadat e vendeve të QUINT-it, ndërsa Peter Sorensen ka mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet në Serbi, transmeton lajmi.net.

Ai sqaroi se edhe vetë ka qenë i angazhuar në komunikim me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë, duke i informuar për zhvillimet dhe vendimet që janë marrë nga Qeveria.

“Marrëveshjet mund të marrin forma të ndryshme. Shpesh njerëzit mendojnë për dokumente që nënshkruhen në tavolinë, por në realitet dakordimet mund të arrihen edhe pa një tekst të shkruar. Në këtë rast, nuk ka pasur një dokument të tillë – ka pasur deklarime publike që pasqyrojnë atë që është rënë dakord më herët”, u shpreh Orav.

Ai shtoi se pas shtyrjes së dytë të afatit për zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt në janar, një grup pune me ekspertë është angazhuar për të monitoruar procesin, sfidat dhe hapat e nevojshëm për zbatim.

Po ashtu, janë zhvilluar takime të rregullta mes kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë, ku është diskutuar ecuria e këtij procesi dhe masat që duhen ndërmarrë.

Duke folur për përfshirjen e palës serbe, Orav theksoi se roli i Beogradit është trajtuar përmes kanaleve diplomatike të BE-së. Ai nënvizoi se përfaqësuesi special Sorensen ka zhvilluar bisedime me zyrtarë serbë, ndërsa vetë ka qenë në kontakt me liderët serbë në Kosovë.

Sipas tij, rezultati i marrëveshjes i mundëson Kosovës të vazhdojë me zbatimin e ligjit, ndërkohë që janë identifikuar edhe çështje konkrete që kërkojnë zgjidhje shtesë, si pranimi i dokumenteve të identifikimit të lëshuara nga Serbia në veri për procese të gjendjes civile./lajmi.net/