Calzona flet për dëmtimin e Skriniar: Ai po rrezikon karrierën e tij për Sllovakinë

Përzgjedhësi i kombëtares së Sllovakisë, Francesco Calzona, ka bërë të ditur se kapiteni i ekipit, Milan Skriniar, ka vënë në rrezik karrierën e tij për ta ndihmuar skuadrën në ndeshjen ndaj Kosovës. Kosova do të luajë në udhëtim ndaj Sllovakisë më 26 mars, me synimin për të siguruar fitoren dhe për të arritur në finalen…

Sport

20/03/2026 19:23

Përzgjedhësi i kombëtares së Sllovakisë, Francesco Calzona, ka bërë të ditur se kapiteni i ekipit, Milan Skriniar, ka vënë në rrezik karrierën e tij për ta ndihmuar skuadrën në ndeshjen ndaj Kosovës.

Kosova do të luajë në udhëtim ndaj Sllovakisë më 26 mars, me synimin për të siguruar fitoren dhe për të arritur në finalen e madhe të “play-off”-it, ku vendoset për një vend në Botëror.

Në dyshim për këtë përballje mbetet Skriniar, i cili aktivizohet te Fenerbahçe, për shkak të një dëmtimi në ijë. Megjithatë, ai po bën përpjekje maksimale për të qenë në dispozicion të ekipit.

Para ndeshjes, Calzona e ka vlerësuar Kosovën si kundërshtar serioz, ndërsa ka zbuluar edhe përkushtimin e madh të kapitenit të tij.

“Dua ta falënderoj publikisht Milan Skriniar, si dhe Fenerbahçen, sepse e kuptuan sa e rëndësishme ishte ndeshja për ne. Milani po lufton me një dëmtim shumë të pakëndshëm, por ai po bën gjithçka që mundet për të qenë me ne”.

“Ai është i bindur dhe i vendosur në atë mënyrë që dëshiron të jetë i disponueshëm për të paktën një nga këto dy ndeshje që na presin. Megjithatë, shpresojmë që ai të jetë në gjendje të luajë në të dyja ndeshjet”.

“Ai bën gjithçka në mënyrën që zakonisht bëjnë lojtarët vërtet të mëdhenj. Mund të thuhet se ai po rrezikon një pjesë të karrierës së tij vetëm për të qenë gati të ndihmojë Sllovakinë në këto dy ndeshje”, ka deklaruar 57-vjeçari.