Tërnava kritikon politikanët në Fitër Bajram: Është e papranueshme që njerëzit të vuajnë për shkak të mungesës së vullnetit politik

Myftiu Naim Tërnava u është drejtuar qytetarëve dhe klasës politike me një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi, duke kërkuar që krizat të zgjidhen përmes dialogut dhe kompromisit. Në ligjëratën e tij, ai theksoi se është e papranueshme që në kohë paqeje qytetarët të vuajnë për shkak të mungesës së vullnetit politik. “Prandaj, është e papranueshme…

Lajme

20/03/2026 08:04

Myftiu Naim Tërnava u është drejtuar qytetarëve dhe klasës politike me një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi, duke kërkuar që krizat të zgjidhen përmes dialogut dhe kompromisit.

Në ligjëratën e tij, ai theksoi se është e papranueshme që në kohë paqeje qytetarët të vuajnë për shkak të mungesës së vullnetit politik. “Prandaj, është e papranueshme që sot, në kohë paqeje dhe në kushtet e një sistemi demokratik, njerëzit të vuajnë për shkak të mungesës së vullnetit politik për kompromis. Dialog, përgjegjësi dhe të pasuarit e lëndimit të shoqërisë tonë me vetëdije nga e skajshmja politike”, ka deklaruar ai, transmeton lajmi.net.

Tërnava ka bërë thirrje për maturi dhe tolerancë në momente të ndjeshme, duke theksuar se interesi i vendit duhet të vihet mbi çdo interes tjetër. “Në momente të tilla kërkohet maturi, vetëdije dhe tolerancë. Kërkohet që përmes dialogut dhe mbi të gjitha sakrificës për të vendosur interesin e vendit dhe të kombit mbi çdo interes tjetër”, u shpreh ai.

Sipas tij, shoqëria ka nevojë për një qasje më të përgjegjshme në politikë dhe për më shumë kulturë dialogu. “Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë maturi në politikë, për më shumë kulturë dialogu dhe për më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik”, theksoi Tërnava.

Në fund, ai shtoi se përgjegjësia për të ardhmen e vendit është e përbashkët dhe do të gjykohet nga historia. “Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë, por edhe për momentet kur përgjegjësia është marrë. Lutemi Zotit që të na bekojë me maturi dhe drejtësi… Zoti i Madhërishëm na bëftë prej atyre që ndërtojnë ura të forta, rini të shëndoshë dhe një shoqëri me besim në vete dhe dashuri për atdheun.”/lajmi.net/