Culaj: Armatosja e Serbisë pjesë e një strategjie më të gjerë, anëtarësimi i Kosovës në NATO urgjent

Profesori i studimeve të sigurisë, Gjon Culaj, hulumtues i jashtëm i Institutit Octopus, ka vlerësuar se armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk mund të shihet e ndarë nga veprimet konkrete në terren dhe qasja e saj ndaj Kosovës. Sipas tij, dilema e sigurisë në rajon bëhet edhe më e theksuar kur forcimi ushtarak shoqërohet me…

Lajme

19/03/2026 17:53

Profesori i studimeve të sigurisë, Gjon Culaj, hulumtues i jashtëm i Institutit Octopus, ka vlerësuar se armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk mund të shihet e ndarë nga veprimet konkrete në terren dhe qasja e saj ndaj Kosovës.

Sipas tij, dilema e sigurisë në rajon bëhet edhe më e theksuar kur forcimi ushtarak shoqërohet me veprime destabilizuese në veri të Kosovës, përfshirë akte të dhunshme dhe terroriste që synojnë krijimin e pasigurisë dhe tensioneve të vazhdueshme.

Culaj thekson se këto zhvillime nuk janë të izoluara, por janë në sinkron të plotë me përpjekjet e vazhdueshme për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar, qoftë përmes fushatave kundër njohjeve apo përpjekjeve për ta bllokuar përfshirjen e saj në organizata ndërkombëtare.

“Në këtë kuptim, armatosja e Serbisë nuk mund të interpretohet thjesht si masë mbrojtëse, por si pjesë e një strategjie më të gjerë që kombinon presionin politik, diplomatik dhe të sigurisë”, vlerëson ai.

Sipas Culajt, Kosova, si faktor paqeje në rajon, gjendet në një pozitë ku nevojat për garanci të forta sigurie bëhen edhe urgjente edhe të domosdoshme.

Ai thekson se anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të mbetet prioritet strategjik, transmeton telegrafi.

“Shih për këtë, Kosova në NATO, sa më shpejt të jetë e mundur, ndonëse jo proces i lehtë, duhet të mbetet prioriteti ynë strategjik. Të qenurit pjesë e kësaj aleance do ta reduktonte ndjeshëm hapësirën për destabilizim dhe do ta forconte pozicionin ndërkombëtar të vendit tonë”, thekson ai.

Në fund, Culaj vlerëson se në një botë të fragmentuar dhe në ndryshim, paqja dhe siguria nuk janë të garantuara, por ndërtohen dhe mbrohen çdo ditë.

“Në realitetin tonë, rritja e kapaciteteve ushtarake dhe integrimi në NATO duhet të jenë përgjigjet tona ndaj Serbisë”, përfundon ai.