Festa e Fitër Bajramit, Tërnava: Gëzimi i vërtetë matet me dhënien dhe solidaritetin
Në ditën e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu Naim Tërnava iu drejtua besimtarëve myslimanë me një mesazh të gjatë urimi, duke përshkruar rëndësinë shpirtërore dhe morale të agjerimit dhe festës së Fitër Bajramit. Ai theksoi se pas një udhëtimi të gjatë shpirtëror, i mbushur me përkushtim, sakrificë dhe devocion gjatë muajit të…
Lajme
Në ditën e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu Naim Tërnava iu drejtua besimtarëve myslimanë me një mesazh të gjatë urimi, duke përshkruar rëndësinë shpirtërore dhe morale të agjerimit dhe festës së Fitër Bajramit.
Ai theksoi se pas një udhëtimi të gjatë shpirtëror, i mbushur me përkushtim, sakrificë dhe devocion gjatë muajit të bekuar, besimtarët presin me gëzim të madh këtë ditë të shenjtë. “Ky muaj i begatë ishte një shkollë e lartë e edukimit shpirtëror dhe moral, ku besimtari u përpoq ta pastrojë zemrën, ta disiplinojë shpirtin dhe të afrohet më shumë me Zotin e Madhërishëm”, tha ai.
Në përjetimin e agjerimit, lutjes dhe solidaritetit, besimtarët rikthyen ekuilibrin e brendshëm dhe forcuan lidhjen me Krijuesin dhe me njëri-tjetrin.
“Ramazani na mësoi se besimi nuk është vetëm fjalë, por përkushtim i gjallë. Ai na edukoi në durim, sinqeritet dhe përgjegjësi, duke na kujtuar se njeriu e arrin madhështinë e tij përmes përulësisë dhe devotshmërisë”, shtoi Tërnava.
Ai përmendi se ky muaj i bekuar rrit ndërgjegjësimin për përgjegjësitë ndaj Zotit, ndaj vetvetes dhe ndaj shoqërisë, duke forcuar ndjenjën e solidaritetit dhe të dhembshurisë për ata që janë në nevojë. Përmes sofrave të iftarit, Ramazani kultivoi ndjenjën e barazisë, forcoi unitetin dhe ringjalli shpresën, duke rikujtuar se dera e mëshirës së Zotit mbetet e hapur për zemrat e pastra dhe të sinqerta.
Myftiu Tërnava theksoi se Fitër Bajrami është kurora e këtij rrugëtimi shpirtëror. “Ai nuk është thjesht një festë gëzimi, por një manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore. Në këtë ditë, zemrat mbushen me paqe, falje dhe dashuri, ndërsa besimtari ndien më fuqishëm përgjegjësinë e tij si mëkëmbës i Zotit në tokë, për të përhapur të mirën dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të moralshme”, tha ai.
Ai kujtoi se në traditën tonë, Fitër Bajrami është festë e bashkimit, e pajtimit dhe e humanizmit. “Është dita kur hapen zemrat, kur shtrihen duart e pajtimit dhe kur forcohen lidhjet familjare dhe shoqërore. Sofrat tona mbushen me begati, por mbi të gjitha me dashuri, respekt dhe mirënjohje. Kjo festë na kujton se gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët”, shtoi Myftiu.
Ai bëri thirrje që besimtarët të jenë më pranë njëri-tjetrit, të kujdesen për të varfërit, jetimët, të moshuarit dhe të sëmurët. “Bajrami na mëson se humanizmi nuk është vetëm një ndjenjë, por një detyrim moral dhe shpirtëror, që duhet të shoqërojë jetën tonë të përditshme”, theksoi Tërnava.
Mesazhi i tij përfshinte edhe një apel global: paqe, solidaritet dhe dinjitet njerëzor. “Në një kohë kur bota përballet me konflikte dhe luftëra që marrin jetë të pafajshme, kjo festë na fton të lutemi për paqe dhe të angazhohemi për ndërtimin e një bote më të drejtë. Lutemi që Zoti i Madhërishëm ta udhëzojë njerëzimin, t’i japë fund luftërave, t’i ndalë vuajtjet dhe të sjellë paqe dhe mirëkuptim në botë”, tha ai.
Myftiu Tërnava gjithashtu rikujtoi fisnikërinë dhe përgjegjësinë e njeriut: “Njeriu është i nderuar dhe i ngarkuar me përgjegjësi për të ndërtuar, për t’i ruajtur dhe për t’i përhapur vlerat e mirësisë dhe drejtësisë. Prandaj kjo festë është një thirrje që të vazhdojmë rrugën e mirësisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë edhe pas përfundimit të Ramazanit”.
Në përfundim, Myftiu Tërnava uron të gjithë besimtarët: “Në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju uroj një Fitër Bajram të bekuar, një festë plot gëzim, paqe dhe shpresë për ju dhe familjet tuaja. Një urim i veçantë shkon për bashkatdhetarët tanë në mërgatë, të cilët mbeten të lidhur fort me fenë, traditën dhe identitetin e tyre. Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e pranoftë agjërimin, lutjet dhe sakrificat tona! Zoti ju dhëntë paqe, begati dhe mirësi në familjet tuaja!”. /Lajmi.net/