Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm projektin rrugor Vushtrri–Prishtinë, gjatë përurimit të segmentit të kësaj rruge, duke theksuar ndikimin e tij të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe zhvillimin e zonës.
Sipas tij, bëhet fjalë për një investim prej 25 milionë eurosh, që përfshin ndërtimin e një rruge moderne me katër korsi, e cila pritet të lehtësojë dukshëm qarkullimin dhe të ofrojë më shumë siguri dhe komoditet për qytetarët, shkruan lajmi.net.
“Ky është një projekt i rëndësishëm për qytetarët e kësaj zone, që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e lëvizjes dhe lidhjes infrastrukturore”, u shpreh Basha.
Ai bëri të ditur se pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një bypass-i, i cili do të ketë funksion të dyfishtë: lehtësimin e trafikut dhe lidhjen e shtatë fshatrave me rrugën kryesore.
Ministri falënderoi gjithashtu donatorët ndërkombëtarë, përkatësisht Fondin Saudit dhe Fondin e OPEC-ut, për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.
Basha paralajmëroi se projekti do të vazhdojë edhe me segmentin tjetër nga Smrekonica në Prishtinë, ku po ashtu është planifikuar ndërtimi i një rruge me katër korsi, që do të ndikojë në lehtësimin e mëtejmë të qarkullimit.
Ai theksoi se për realizimin e plotë të këtij segmenti nevojitet edhe ratifikimi në Kuvend, duke shtuar se ky është një lajm i mirë për qytetarët, pasi projekti po realizohet në kuadër të angazhimeve të Qeverisë Kurti për zhvillimin e infrastrukturës rrugore. /Lajmi.net/