Apeli rrëzon vendimin e Themelores, paraburgim për tre personat që u kapën me 1 milion euro në Merdar

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, duke caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të…

Lajme

19/03/2026 10:04

Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, duke caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.

“II. CAKTOHET masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, e cila masë do t’iu llogaritet nga momenti i arrestimit të të pandehurve dhe do t’iu zgjat deri në përfundimin e afarit prej 30 ditësh, në përputhje me nenin 184 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 të KPP-së, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të përshkruara në hyrje të këtij aktvendimi”, thuhet në aktvendimin e 18 marsit 2026.

Themelorja më 9 mars 2026 edhe në rivendosje kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Kundër këtij aktvendimi, në afat ligjor ka ushtruar ankesë Prokuroria Speciale për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të fakteve.

Prokuroria kishte propozuae që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktvendimin e ankimuar ashtu që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, ose aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Kurse, Prokuroria e Apelit e Kosovës, me shkresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit.

Në ankesë, Prokuroria Speciale pretendon se aktvendimi i ankimuar është nxjerrë si rezultat i interpretimit dhe zbatimit të gabuar të standardit juridik të dyshimit të bazuar të paraparë me nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe mbi një vlerësim jo të drejtë dhe jo tërësor të materialit faktik të paraqitur nga Prokuroria.

Prokuroria pretendoi se gjykata shkallës së parë ka arritur në përfundim të gabuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

“Me këtë rast, gjykata ka vlerësuar provat në mënyrë të fragmentuar dhe jashtë kontekstit të tyre kumulativ, duke aplikuar një standard provueshmërie më të lartë se ai i kërkuar në këtë fazë procedurale, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në ligjshmërinë e vendimit të nxjerrë”, citohen pretendimet e Prokurorisë.

Në rastin konkret, PSRK pretendon se dyshimi i bazuar mbështetet në prova konkrete të cilat i ka ofruar në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

“Gjykata në arsyetimin e saj ka konkluduar se prokuroria nuk ka paraqitur prova që mbështesin dyshimin e bazuar, duke konsideruar se kallëzimi penal, raporti i Doganës, deklaratat e të dyshuarve dhe fotografitë e mjeteve monetare nuk kanë vlerë provuese”, thuhet të ketë pretenduar Prokuroria.

Një qasje e tillë, sipas Prokurorisë, paraqet interpretim të gabuar të fazës procedurale në të cilën ndodhet çështja penale, pasi që në këtë stad të hershëm të procedurës nuk kërkohet provim i plotë i veprës penale, por ekzistimi i rrethanave objektive që krijojnë probabilitet të arsyesshëm se vepra penale është kryer dhe se personat konkret janë të përfshirë në të.

“Vetë fakti se gjatë kontrollit kufitar është zbuluar një shumë jashtëzakonisht e madhe monetare, e fshehur në bunker të modifikuar brenda automjetit dhe e pa deklaruar para autoriteteve doganore, përbën rrethanë objektive të mjaftueshme që bindë një vëzhgues objektiv për ekzistimin e mundësisë reale të kryerjes së veprës penale dhe për përfshirjen e personave që ushtronin kontroll faktik mbi automjetin dhe transportin”, thuhet në vendim./BetimipërDrejtësi/