“Nuk janë të interesuar për ta zgjedhur një president kredibil”, Arsim Bajrami tregon pse e tërhoqi kandidaturën për President

Arsim Bajrami i është kthyer plotësisht punës akademike, meqë pak ditë më parë hoqi dorë nga kandidatura për president të Kosovës. Vendimin për të mos garuar, ai tha se e mori në momentin kur, u bind se partitë politike nuk duan president unifikues dhe të pakontrollueshëm prej tyre. “Në momentin kur partitë kryesore kanë hequr…

Lajme

18/03/2026 14:46

Arsim Bajrami i është kthyer plotësisht punës akademike, meqë pak ditë më parë hoqi dorë nga kandidatura për president të Kosovës.

Vendimin për të mos garuar, ai tha se e mori në momentin kur, u bind se partitë politike nuk duan president unifikues dhe të pakontrollueshëm prej tyre.

“Në momentin kur partitë kryesore kanë hequr dorë nga një kandidat i unitetit, një kandidat me përvojë, atëherë unë e kam tërhequr kandidaturën sepse po shihet se liderët tanë politikë nuk janë të interesuar për ta zgjedhur një president kredibil, por më tepër një president të cilin do ta kontrollojnë dhe do ta shndërrojnë në një tejzgjatje të politikave ditore”, u shpreh ai.

Por, cila ishte arsyeja fillestare e kandidimit?

“Kandidatura ime ka qenë një akt moral, i dinjitetit profesional, duke qenë se kam marrë pjesë në të gjitha proceset e shtetndërtimit, nuk kam dashur që shteti jonë të dëmtohet. Jam vetëofruar, kam ofruar shërbimet e mira vetëm si kandidat konsensual”, deklaroi ai.

Presidentja Vjosa Osmani e shpallir dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës një ditë pasi kuvendi dështoi ta zgjedh presidentin brenda afatit të 5 marsit. Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, më 9 mars deri më 31 mars ndaj këtij dekreti. Ky vendim ndalon çdo veprim të presidentes Osmani dhe të kuvendit derisa masë e përkohshme është në fuqi.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetueshmërisë së dekretit të presidentes u dorëzua nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë.

Por, Bajrami që është edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës nuk ka dashur të komentojë, se cili mund të jetë vendimi përfundimtar i Kushtetueses mbi këtë çështje.

“Po e presim të gjithë me padurim”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje në seancën parlamentare të 5 marsit, Lëvizja Vetëvendosje paraqiti në momentin e fundit kandidaturën edhe të Fatmire Mulhaxha Kollçakut, si kundërkandidate të Glauk Konjufcës për president. Në mungesë të opozitës nuk pati kuorum për të votuar. /