Arianit Sllamniku lihet në liri, i ndërpritet edhe masa e arrestit shtëpiak
Kolaboracionisti Arianit Sllamniku është lënë në liri. Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila ka njoftuar për lajmi.net se hetimet mbi Sllamnikun janë duke vazhduar, por të njëjtit i është mbyllur masa e arrestit shtëpiak. Si fillim, pas arrestimit Sllamnikut i ishte vendosur masa prej një muaji paraburgim, e më…
Lajme
Kolaboracionisti Arianit Sllamniku është lënë në liri.
Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila ka njoftuar për lajmi.net se hetimet mbi Sllamnikun janë duke vazhduar, por të njëjtit i është mbyllur masa e arrestit shtëpiak.
Si fillim, pas arrestimit Sllamnikut i ishte vendosur masa prej një muaji paraburgim, e më pas kjo masë u zëvendësua me masë të arrestit shtëpiak e cila tanimë është hequr e gjitha.
Në përgjigjen e dhënë për lajmi.net Prokuroria tha se “Duke iu referuar kërkesës tuaj, të parashtruar me date 17 mars 2026, përmes email-it zyrtar të PTH – Gjilan, lidhur me rastin penal ndaj të pandehurit Arianit Sllamniku, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan është duke zhvilluar hetime dhe ndaj të njëjtit është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak”.
Sllamniku prej kohësh paraqitej në publik sikur njeriu që po “shëronte autizmin”.
Ai vazhdimisht në ordinancën e tij po mbante takime me prindër të ndryshëm e hallexhinj të cilëve më pas u përshkruante terapi të ndryshme kinse për fëmijët e spektrit autik, ndër to edhe barëra për kafshë në mënyrë që siç thoshte ai të dilnin jashtë trupit të fëmijës parazitët.
Duke shkuar edhe më larg, Arianit Sllamniku dyshohej se përfitonte mijëra euro nga këto konsulta që kishte me prindërit e fëmijëve.
Prindër të ndryshëm patën deklaruar se në fakt janë konsultuar me të dhe se u përshkruante terapi të tilla.
Sllamniku nga Prokuroria po ndiqej penalisht për dy vepra të ndryshme sic janë ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike si dhe eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave.
Por pavarësisht rrezikut që paraqisnin gjithë këto vepra, siç duket Prokuroria thjesht po vazhdon hetimin, por duke e lënë atë të lirë.
Ndryshe pas raportimit Sllamnikut i ishte mbyllur edhe ordinanca në të cilën kryente konsultat e ku iu kishin gjetur edhe armë e barëra të ndryshme të kafshëve./Lajmi.net/
https://www.facebook.com/share/v/1EUctb2kvM/