Emërimet e dy zëvendësministrave serbë nga Kurti, Lista Srpska paralajmëron veprime në Gjykatën Kushtetuese
Kryeministri Albin Kurti dje ka emëruar dy zëvendësministra serbë. Igor Mitiq u emërua në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa Tijana Veljkoviq në pozitën e zëvendësministres në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Në takim me Kurtin, bashkë me dy zëvendësministrat e rinj ishte edhe ministri për Komunitete dhe Kthim,…
Lajme
Kryeministri Albin Kurti dje ka emëruar dy zëvendësministra serbë. Igor Mitiq u emërua në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa Tijana Veljkoviq në pozitën e zëvendësministres në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Në takim me Kurtin, bashkë me dy zëvendësministrat e rinj ishte edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Por, për këto emërime ka reaguar Lista Srpska, e cila i konsideroi si jokushtetues dhe tha se do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Regjimi në Prishtinë vazhdon të shkelë Kushtetutën në dëm të popullit serb”, tha Lista Sprksa në një reagim.
“Neni 96 i Kushtetutës përcakton qartë se përzgjedhja e ministrave dhe zëvendësministrave nga radhët e komuniteteve që nuk përbëjnë shumicën në Kosovë do të kryhet pas konsultimeve me partitë, koalicionet ose grupet që përfaqësojnë ato komunitete. Në rastet kur këta zyrtarë emërohen jashtë anëtarësisë së Kuvendit të Kosovës, siç është rasti tani, është i nevojshëm edhe miratimi zyrtar i shumicës së deputetëve që i përkasin partive, koalicioneve, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur që janë deklaruar si përfaqësues të komunitetit përkatës”.
Lista Srpska tha se duke emëruar pa këtë pëlqim, Qeveria e Albin Kurtit ka treguar “edhe një herë se nuk respekton as rendin kushtetues dhe as vullnetin politik të popullit serb” në Kosovë.
“Lëvizje të tilla të njëanshme përfaqësojnë një vazhdim të praktikës së anashkalimit institucional të përfaqësuesve legjitimë të komunitetit serb dhe dëmtojnë më tej besimin në institucione”, thuhet në deklaratë.
Kjo parti shtoi se ekipi ligjor i saj pasi të analizojë të gjitha aktet, do të paraqesë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkojë që këto emërime të paligjshme të anulohen.
“Lista Serbe do të vazhdojë të këmbëngulë në respektimin e të drejtave të popullit serb dhe ligjit, si dhe në faktin se të drejtat e popullit serb dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë nuk mund të anashkalohen nga vendime politike dhe lëvizje të njëanshme”.