Dushan Maksimoviq pretendon se uniforma e veshur në fotografi nuk përputhet me ato të përdorura në sulmin e Banjskës
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq në rastin “Banjska”. Në këtë seancë ka nisur dhënia e mbrojtjes së të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, i cili foli për fotografinë ku ai shihet me uniformë, për çka pretendoi se kjo është bërë në shtëpinë e tij. Ai tha…
Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq në rastin “Banjska”.
Në këtë seancë ka nisur dhënia e mbrojtjes së të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, i cili foli për fotografinë ku ai shihet me uniformë, për çka pretendoi se kjo është bërë në shtëpinë e tij.
Ai tha se “nuk kam qenë i angazhuar nga askush dhe për asgjë”.
“Do të doja ta sqaroja një pjesë që ka të bëjë me një çështje të Prokurorisë Speciale, me një pyetje për Prokurorinë Speciale, pyetja ka të bëjë me uniformën në fotografinë në aktakuzë. Në pyetjen e Prokurorisë Speciale që ta sqarojë se nga e kam atë uniformë, si e kam siguruar uniformën, me çfarë arsyeje, nga kush kam qenë i angazhuar me detyrë, dhe çfarë detyre unë në këtë pyetje jam përgjigjur, mirëpo kur e kam shiquar proces verbalin e kam vërejtur se mungon pjesa e përgjigjes pikërisht në këtë pyetje e cila ka të bëjë me ndonjë angazhim timin dhe detyrat e mia. Unë nuk kam qenë i angazhuar nga askush dhe për asgjë. Fotografia është bërë në shtëpinë time, jam fotografuar si për argëtim dhe ka qenë hera e parë që shoh dhe që kam pasur uniformë të tillë. Po ta kisha më herët, me siguri nuk do të ishte interesant për mua të bëjë foto me uniformë”, ka thënë ai.
Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së tij, avokates Jovana Filipoviq, ai tha se është gjuetar aktiv dhe se uniformën e kishte marrë paraprakisht që ta shfrytëzojë për këtë.
“Këtë uniformë e kam marrë paraprakisht që ta shfrytëzojë për gjueti, siç kam thënë në Prokurorinë Speciale, nuk e kam ditur as nuk kam pasur ide që çfarë fotografi po planifikojnë që t’i përdorin në këtë procedurë. Banjska është vend i vogël e cila është e rrethuar me male dhe me njerëz, ndërsa unë kohën time të lirë qysh vite para e kam kaluar në gjueti dhe në natyrë, siç kam thënë sepse kam jetuar në asi rrethine apo rrethana”, shtoi ai.
Tutje, ai pretendoi se ajo uniformë ku ai shihet në fotografi nuk është e ngjashme me ato që janë përdorur gjatë sulmit në Banjska.
“Ajo fotografi është bërë saktësisht më 13 dhjetor 2022. Zotëri gjyqtar kjo është 285 ditë para ngjarjes në Banjska. Fatkeqësisht kam pasur kohë që të mendoj edhe për ditë. Siç kam thënë edhe tash e vërtetoj se ajo uniformë nuk është as e ngjashme me uniformat të cilat janë përdorur në sulmin Banjska”, tha ai.
I akuzuari për sulmin në Banjska, Dushan Maksimoviq mohoi që kjo uniformë e gjetur në dhomën e tij ka lidhje me sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.
“Unë aspak nuk e di nga i vjen avokatit Naim Rudari një pretendim i tillë dhe një informatë e tillë. Unë e di se uniforma ka qenë e lagur me gjërat e mia. Pas një kohe kur e kam pastruar shtëpinë time nga dheu dhe nga balta dhe kur e kam gjuajtur të gjitha mobiljet e zhytura në ujë apo të lagura, unë e di se e kam gjuajtur edhe këtë uniformë. Ashtu që me siguri nuk ka mund të jetë e gjetur”, deklaroi ai para trupit gjykues.
Dhënia e mbrojtjes së të akuzuarit, Dushan Maksimoviq po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokurori special, Naim Abazi paraprakisht ka kërkuar nga trupi gjykues që të administrojë si provë procesverbalin nga intervista me të akuzuarin Bllagoje Spasojeviq.
“Gjatë verifikimit të shkresave të lëndës kemi konstatuar se proces verbali i datës 24.09.2024 që ka të bëjë me marrjen në pyetje të pandehurit, të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq ndodhet në materialin e lëndës, mirëpo, nuk është përfshirë në listën e provave, përkatësisht në indeksin e dosjes me numër 26 që konsiderohet që është një gabim teknik gjatë përpilimit të listës së provave, e cila provë i është dorëzuar mbrojtjes, gjykatës, mirëpo nuk është evidentuar si e tillë. Duke qenë se ky dokument është pjesë materiale hetimore dhe tani ndodhet në shkresat e lëndës. Prokuroria i propozon gjykatës që ta lejojë administrimin e këtij proces verbali si provë duke konsideruar këtë”, deklaroi ai.
Trupi gjykues ka marrë aktvendim, ku sipas kryetarit Ngadhënjim Arrni, deklarata e të akuzuarit e dhënë paraprakisht në polici, është administruar në polici. Gjyqtari po ashtu tha se tutje do të vlerësohen edhe të dhënat nga ekzaminimet e telefonave.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist. Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator kishte ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Terroristët serbë prapa vetës lanë shumë dëshmi e gjurmë, përfshirë video-incizime të dronëve, komunikime të telefonave mes anëtarëve të grupit terrorist, kamera të sigurisë, fotografi e qindra dokumente.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.