“Rasti ishte i njohur prej vitesh nga institucionet, ato dështuan t’i mbrojnë fëmijët”, KOMF reagon ndaj rastit të 5 vjeçarit në Lipjan

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5 vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është sjellë në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit. “Sipas të dhënave të institucioneve,…

Lajme

18/03/2026 11:04

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5 vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është sjellë në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit.

“Sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh. Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre. Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave të menjëhershme në përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale”,thuhet në reagim.

Gjithashtu nga KOMF u tha se ky rast ri konfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale. KOMF kërkon fuqizimin e kapaciteteve përmes rritjes së numrit të punonjësve socialë dhe profileve të tjera profesionale në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur.

“Është jetike që institucionet të zhvillojnë programe të mirëfillta për fuqizimin e familjeve në krizë dhe të ofrojnë shërbime sociale e familjare që parandalojnë eskalimin e rasteve të tilla përpara se të jetë tepër vonë”,thuhet tutje, transmeton lajmi.net.

KOMF u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë. Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi kolektive. Çdo dyshim për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim sipas legjislacionit në fuqi duhet të raportohet menjëherë tek Policia e Kosovës apo Qendra për Punë Sociale. Raportimi në kohë, mund të jetë kufiri i vetëm që ndan jetën nga vdekja për një fëmijë në rrezik./Lajmi.net/