Dy ditë të rënda për Kosovën, humbën jetën tragjikisht pesë persona
Një ditë e kobshme ka qenë dje për Kosovën, dhe e tillë ka vazhduar edhe sot. Vetëm gjatë ditës së djeshme dhe sot, pesë qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën aksidentalisht. Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë. Këtë e kanë konfirmuar autoritetet austriake…
Lajme
Një ditë e kobshme ka qenë dje për Kosovën, dhe e tillë ka vazhduar edhe sot.
Vetëm gjatë ditës së djeshme dhe sot, pesë qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën aksidentalisht.
Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë. Këtë e kanë konfirmuar autoritetet austriake dhe Ambasada e Kosovës në Vjenë
Sipas njoftimit fillestar të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.
Fillimisht, autoritetet kosovare konfirmuan se dy nga viktimat janë shtetas të Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977).
Në një njoftim të përditësuar më 18 mars, Ambasada bëri të ditur se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e përgjithshme të këtij aksidenti është shtetas i Kosovës, Istref Zekaj.
Ambasada e Kosovës në Austri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.
Pak orë më pas, aksidentalisht ka humbur jetën edhe një qytetar i moshës 74 vjeçare në Ferizaj.
Profesor Miftar Lushtaku ka vdekur mbrëmë pasi që është goditur nga vetura, shkruan lajmi.net.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar dje edhe Policia e Kosovës.
“Sonte, rreth orës 21:10, në rrugën “Azem Bejta” në Skenderaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasojë fataliteti. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor. Si pasojë e aksidentit në vendin e ngjarjes ka humbur jetën këmbësori, rreth 74-vjeçar. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Stacion Policor për procedura të mëtejme. Njësitet relevante policore, përfshirë hetuesit e aksidenteve të trafikut, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti”, ka njoftuar Policia e Kosovës mbrëmë.
Një jetë tjetër është humbur sot në mëngjes në rrugën Podujevë-Prishtinë.
Në këtë aksident ka qenë e përfshirë një motoçikletë, e për pasojë ngasësi i motoçikletës ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 07:00, kemi pranuar informatën se në rrugën Podujevë- Prishtinë , ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë e përfshirë një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit ngasësi i motoçikletës nuk ka arritë të përballoj plagët, dhe i njëjti ka vdekur. Vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.”, tha ajo.
Që nga dje rreth orës 15:30 kur edhe ka ndodhur tragjedia në Vjenë, Kosova ka humbur pesë qytetarë të saj.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e secilit rast, ndërsa këto tragjedi mbeten një thirrje për më shumë siguri dhe përgjegjësi në çdo aspekt të jetës. /Lajmi.net/