Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, për t’i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, të pandehurit N.Z. Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. “Sipas kërkesës së Prokurorisë,  ndër të tjera…

Lajme

18/03/2026 10:22

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, për t’i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, të pandehurit N.Z.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë,  ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M. P.” i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R. B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E. M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E. M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën e tij pistoletë e llojit TT, ka shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R. B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, ka njoftuar Gjykata.

Gjithashtu si pasojë e të shtënave me armë i pandehuri rrezikon jetën e personave të tjerë, ku i dëmtuari E. M., pëson lëndime trupore dhe dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena,  mbrëmë, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Me këtë vendim, i pandehurit N. Z., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 16 mars 2026 deri më 16 prill 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Gjakovë. /Lajmi.net/