Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve: Gjykata refuzon kërkesën për hedhjen e saj
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit. Teksa çështja do të shkojë në gjykim, edhe pse mbrojtja kishte kërkuar që aktakuza e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare të hiqej. Kështu ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila tha se Departamenti Special ka refuzuar…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit. Teksa çështja do të shkojë në gjykim, edhe pse mbrojtja kishte kërkuar që aktakuza e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare të hiqej.
Kështu ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila tha se Departamenti Special ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes si të pabazuara.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e evidentuar me shenjën PPPS.nr.35/2023 të datës 11.11.2025, në çështjen penale kundër të pandehurve R.H., I.L., H.G., për shkak të veprës penale Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, R.M. për shkak të veprës penale Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i pandehuri H.G. për shkak të veprës penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 par.1 të KPRK-së, si dhe të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në përgjigje.
Me këtë vendim, gjykata i jep të drejtë Prokurorisë Speciale dhe procesi gjyqësor do të vazhdojë normalisht.
Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Rezervave Shtetërore, një afere që i ka shkaktuar afër tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit.
Në të njëjtin rast, bashkë me Hajdarin akuzohen edhe tre të tjerë: dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Ndërsa Hajdari, Gara dhe Lipovica dyshohen të tre për të kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare. /Lajmi.net/