LDK hap kuletën: Mbi 1.3 milionë euro të shpenzuara për paga, marketing dhe aktivitete të përditshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shpenzuar rreth 1 milion e 335 mijë euro, sipas raportit financiar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e shpenzimeve ka shkuar për paga dhe kontributet për punonjësit, me rreth 104 mijë 922 euro të paguara në tremujor për pagat neto,…

Lajme

17/03/2026 11:09

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shpenzuar rreth 1 milion e 335 mijë euro, sipas raportit financiar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e shpenzimeve ka shkuar për paga dhe kontributet për punonjësit, me rreth 104 mijë 922 euro të paguara në tremujor për pagat neto, ndërsa për tatime dhe kontribute të tjera janë shpenzuar rreth 11 mijë e 748 euro.

Një tjetër kategori e konsiderueshme e shpenzimeve ka qenë marketingu dhe reklamat, me një total rreth 49 mijë e 317 euro, ku përfshihen reklamat në Facebook dhe publikime të ndryshme, ndërsa për shpenzime për informim publik janë shpenzuar rreth 49 mijë e 000 euro.

LDK ka investuar gjithashtu në qira dhe mirëmbajtje, duke shpenzuar mbi 17 mijë e 201 euro për qira të objekteve dhe rreth 623 euro për mirëmbajtje të automjeteve, si dhe mbi 507 euro për energji elektrike, shkruan lajmi.net

Shpenzime të tjera përfshijnë udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit, shërbime arsimore dhe trajnime, furnizime zyre, mobilje dhe pajisje me vlerë deri në 5 mijë 000 euro, si dhe aktivitete përfaqësimi dhe dreka zyrtare, që në total kapin dhjetëra mijëra euro.

Raporti tregon gjithashtu se gjatë kësaj periudhe LDK ka pranuar donacione dhe kontribute nga qytetarë dhe organizata të ndryshme, duke përfshirë mbi 8 mijë 000 euro nga një kompani turistike, si dhe shumë dhurime individuale nga kontribuues të ndryshëm.

Ky raport pasqyron mënyrën se si LDK ka menaxhuar financat e saj gjatë tremujorit të fundit të vitit 2025, duke treguar prioritetet kryesore në paga, marketing dhe operime të përditshme. /Lajmi.net/