“Asgjë e keqe nëse Osmani do t’i bashkohej Qeverisë”-“Deputetët e Guxo s’kanë pasur asnjë dilemë për votë”- Gërvalla flet pas disa javëve
Ministrja e re e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila fillimisht ishte mikja e ngushtë e Vjosa Osmanit, bashkëkrijueset e Listës Guxo të cilat më vonë ndërprenë të gjitha kontaktet, ka dalur në publik më në fund duke folur për situatën e krijuar së fundi. Donika Gërvalla në një intervistë të pasfiduar në RTK, tha se…
Lajme
Ministrja e re e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila fillimisht ishte mikja e ngushtë e Vjosa Osmanit, bashkëkrijueset e Listës Guxo të cilat më vonë ndërprenë të gjitha kontaktet, ka dalur në publik më në fund duke folur për situatën e krijuar së fundi.
Donika Gërvalla në një intervistë të pasfiduar në RTK, tha se votat e listës Guxo kanë qenë pro Vjosa Osmanit. Por, kaq. Asnjë fjalë më shumë.
“Unë kam shumë arsye të besoj që zonja Presidente madje edhe vetë beson në atë se çka kanë mundur t’i thonë përfaqësuesit e LDK-së në bisedë direkte me të. Nuk dyshoj që Lumir Abdixhiku, i cili të vërtetën ia fsheh publikut, mund t’ia ketë fshehur edhe presidentes Osmani… nëse ka biseduar direkt me të…E vërteta është që nuk ka pasur vota të mjaftueshme”, tha ajo.
“E vërteta tjetër është që natyrisht 7 deputetët e partisë Guxo nuk kanë pasur asnjë dilemë për t’ia dhënë votat presidentes Osmani”, tha Gërvalla,
Kjo sipas Gërvallës, tregon për një papjekuri të jashtëzakonshme.
“Zgjedhja e presidentit duhet të jetë një ditë feste e jo një ditë bllokade. Pse ndodhemi në këtë situatë është për qytetarin e pakuptueshme, sepse çfarë duhet të bëjë qytetari më tepër. Qytetari ka dalë hy herë në zgjedhje, dhe përsëri po ballafaqohet me rrezikun që të dalë edhe njëherë të tretë”, tha ajo.
E për propozimin e Konjufcës, Gërvalla tha se erdhi pasi dështoi kandidati konsensual. Sërish, pa u përmendur Vjosa Osmani.
“Propozimi ynë erdhi veç në fund pasi paraprakisht ishim përpjekur të siguronim president konsensual, pasi që në fillim të procesit të gjetjes së një emri na është bërë e ditur se presidentja Osmani nuk e gëzon mbështetjen e parlamentit, pra nuk mund të sigurohen 80 apo 81 persona të pranishëm në sallë. Kemi filluar të bisedojmë edhe me PDK-në edhe me LDK-në me shpresën dhe me synimin që të gjejmë një president konsensual. Ideja fillestare ishte që, Murat Jashari, i cili është një person jo vetëm i dinjitetshëm, jo vetëm emër i një familje të madhe, por si profesor i së Drejtës Kushtetuese, edhe një person që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë personifikimi i presidentit që qëndron mbi partitë”, tha ajo.
Por, kur kjo gjë, sipas saj nuk mundi të realizohej, dolën me emrin e Konjufcës.
“Nuk patëm sukses dhe prandaj u desh të dilnim me një emër nga radhët e koalicionit tonë. Jo me një emër dosido, jo me një emër që provokon, një emër që bashkon. Njeriu që është i dyti në Kosovë me numrin më të madh të votave qytetare të marra ndonjëherë në historinë e vendit. Ne, mendojmë që edhe kur nuk arritëm të merreshim vesh me opozitën për një president konsensual, prapë se prapë emri i Glauk Konjufcës është i tillë që do të mund të kishte ofruar mundësinë edhe për deputetët të opozitës që do të mund të qëndronin në sallë e të mos na ballafaqojnë me bllokada të mëtejme”, tha ajo.
Gërvalla e kritikoi edhe dekretin e Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
“Presidentja është së pari juriste, së dyti me një eksperiencë të madhe në jetën politike, së treti presidentja është shumë e kujdesshme në vendimet që merren. Unë jam habitur. Mua më është dukur i nxituar ai veprim në 08:00 të mëngjesit. Unë jam e fundit që përmes mediave dua t’i jap këshilla presidentes se duhet ta kishte bërë apo çfarë duhet të kishte bërë. Kemi një situatë kushtetuese momentalisht, një kuvend që nuk mund të ushtrojë detyrat e tij, që janë mbledhur jo vetëm marrëveshje ndërkombëtare”, tha Donika Gërvalla.
Ajo u pyet edhe për të ardhmen politike, teksa tentoi t’i thotë disa fjalë pozitive për Osmanin.
“Mendoj që presidentja ka një energji të jashtëzakonshme, po të pyetesha si një njeri neutral do thosha se ka më shumë tipare të një personi ekzekutiv se sa të një presidenti siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Andaj nuk shoh asgjë të keqe nëse presidentja do t’i bashkohej Qeverisë së Kosovës. Nuk kam parë nga radhët e LVV-së refuzim as nga kryeministri, por as nga të tjerë për variantin që presidentja t’i bashkëngjitet Qeverisë nëse nuk shkojmë në zgjedhje, mirëpo kjo është një temë që të mos i shërbejmë thashethemeve që presidentja si kreu i shtetit për të cilin ne nuk diskutojmë në publik të ketë mundësi ta përfundojë me dinjitet e nder mandatin e saj më 4 prill”, tha Gërvalla.
Gërvalla që dikur me Osmanin krijuan bashkë partinë Guxo, nuk ka dashur të komentojë se cila mund të jetë rruga që do ta zgjedhë Osmani.
“Unë nuk dua të spekuloj në këtë drejtim aspak, sepse do të ishte shumë e pandershme nga unë. Qoftë nëse Osmani vendosë të kthehet në Guxo, qoftë nëse vendosë të kandidojë me LDK-në, apo me një iniciativë të saj, qoftë nëse presidentja Osmani të mos bëjë asnjërën nga këto, por diçka krejt tjetër është e drejta e saj, sepse, ajo është një personalitet i njohur, si një presidente që e ka përfaqësuar Kosovën në gjithë botën. Nuk më takon mua t’i them çfarë duhet të bëjë pas kësaj”, tha Gërvalla.