Bajrami: 2025-ta vit i humbur, humbja po vazhdon edhe në 2026 – Ka ardhur koha t’i themi stop arrogancës së partive politike

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami bazuar në Draft-raportin e Parlamentit Evropian për vitin 2025, ka thënë se Kosova ka rënë në Indeksin Global të Korrupsionit për 3 vende në krahasim me vitin 2024 dhe ka rënë për 24 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave Ajo e ka cituar këtë draft-raport ku thuhet se: Viti…

Lajme

16/03/2026 13:19

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami bazuar në Draft-raportin e Parlamentit Evropian për vitin 2025, ka thënë se Kosova ka rënë në Indeksin Global të Korrupsionit për 3 vende në krahasim me vitin 2024 dhe ka rënë për 24 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave

Ajo e ka cituar këtë draft-raport ku thuhet se:

Viti 2025 ishte vit i humbur (lost year) për Kosovën, për shkak të paralizës politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025: pa Kuvend funksional, pa Qeveri me mandat të plotë. Sipas raportit, kjo gjendje bllokoi reformat, dialogun, fondet e BE-së dhe Planin e Rritjes, pati mungesë të përparimit në sundimin e ligjit, mungesë të lirisë së mediave (rënie për 24 vende në Indeksin e lirisë së medias), mungesë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mungesë në reforma në administratën publike.Kosova ka rënë 3 vende në indeksin global të korrupsionit për 2025 në krahasim me 2024. Raporti shpreh shqetësim të madh për progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi dhe kërkon reforma të thella në sundimin e ligjit, sepse pa reforma integrimi evropian mbetet peng.

Bajrami ka thënë se Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësim edhe me zhvillimet e fundit në dështimin e zgjedhjes së presidentit.

“Pas një viti të humbur në 2025, humbja po vazhdon edhe në 2026, Kosova është me Kuvend të suspenduar deri më 31 mars e më pas, sipas të gjitha gjasave, zgjedhje parlamentare sepse LVV i do krejt për vete dhe asgjë për Kosovën. LVV/Albin Kurti po krijon situata të tilla edhe pse fitoi 51% sillet me arrogancë, refuzim marrëveshjesh politike, refuzim kompromisi e bllokada institucionale dhe rezultati: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare (të tretat në më pak se 15 muaj), me rrezik të paralizës së plotë institucionale pasi kemi vetëm disa muaj kur edhe Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa kuorum”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se kjo nuk është demokraci, por pengim i qëllimshëm i institucioneve.

“Nëse vendi vazhdon me strategjinë e LVV/Albin Kurtit: “zgjedhje – refuzim kompromisi – bllokadë – zgjedhje të reja”, Kosova rrezikon të kthehet nga një shtet që humb vite në një shtet që po humbet ndër vite. Andaj ka ardhur koha për reflektim të vërtetë qytetar, t’i themi stop arrogancës së partive politike, atyre që shtetin po e konsiderojnë si lodër argëtimi. Askush, ama askush nuk ka të drejtë të abuzojë me besimin e qytetarëve”, ka shkruar Bajrami. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: