Gjuha e Abdixhikut kundër mediave, OSBE: Akuzat e pabazuara mund të krijojnë rreziqe për gazetarët

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një intervistë të tij të fundit kishte përsëritur deklarimet tij përgjithësuese në adresë të mediave e gazetarëve. Pa përmendur emra, Abdixhiku kishte folur për “mercenarë medial” e kishte pretenduar se sa më shumë që shpifin, aq më shumë iu rritet llogaria bankare. Lidhur me këtë gjuhë të kreut të…

Lajme

14/03/2026 20:57

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një intervistë të tij të fundit kishte përsëritur deklarimet tij përgjithësuese në adresë të mediave e gazetarëve.

Pa përmendur emra, Abdixhiku kishte folur për “mercenarë medial” e kishte pretenduar se sa më shumë që shpifin, aq më shumë iu rritet llogaria bankare.

Lidhur me këtë gjuhë të kreut të LDK-së ndaj gazetarëve e mediave, kanë folur nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Nga OSBE thonë se një gjuhë që vë në pikëpyetje profesionalizmin dhe integritetin e gazetarëve kontribuon një rritjen e klimës së mosbesimit.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë vëren se gjuha që vë në pikëpyetje profesionalizmin ose integritetin e gazetarëve mund të kontribuojë në një klimë mosbesimi. Komunikimi publik nga figurat politike dhe publike mbart një peshë të veçantë, dhe gjuha e kujdesshme dhe e përgjegjshme ndihmon në mbështetjen e një mjedisi në të cilin gazetarët mund të kryejnë punën e tyre lirisht”, ka thënë një zëdhënës i OSBE.

OSBE potencon se në një kohë kur treguesit e lirisë së medias kanë treguar probleme, është e rëndësishme që të nxitet dialog konstruktiv dhe të ruhen kushtet që mundësojnë gazetari të pavarur dhe debat publik të informuar.

Në përgjigjen për Express, OSBE ka inkurajuar të gjithë politikanët që të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi për deklarime e tyre publike në lidhje me gazetarët dhe mediat.

“Akuzat e pabazuara mund të kontribuojnë në armiqësi dhe të krijojnë rreziqe për profesionistët e medias. Udhëheqësit politikë duhet të sigurohen që çdo shqetësim të adresohet përmes kanaleve të duhura ligjore ose rregullatore, dhe ata kanë një rol të rëndësishëm në nxitjen e një mjedisi ku media mund të veprojë lirisht, në mënyrë të sigurt dhe në mënyrë të pavarur dhe kjo është jetike për transparencën, llogaridhënien dhe funksionimin e shëndetshëm të demokracisë”, ka përfunduar ky zëdhënës i OSBE-së.

Lidhur me gjuhën e përdorur nga Lumir Abdixhiku në adresë të mediave ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK kishte dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga kreu i LDK-së.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon ashpër gjuhën e përsëritur akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë. Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”, kishte shkruar AGK në reagim.

LDK përmes një komunikate për media ka reaguar rreth qëndrimit të AGK-së, duke u arsyetuar se kritika e Abdixhikut s’lidhet me median si institucione as gazetarët profesionistë, por ndaj fenomeneve të dëmshme brenda medias.

“Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se kritika jonë nuk ka qenë ndaj medias si institucion dhe as ndaj gazetarëve profesionistë që kryejnë punën e tyre me integritet çdo ditë. Reagimi ynë ishte, është dhe do të mbetet ndaj fenomeneve të dëmshme brenda medias që devijojnë nga standardet profesionale dhe dëmtojnë besimin publik duke nxitur shpifjen”, thuhej në reagimin e LDK-së.

Në vitin 2025, Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin e Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete. Raporti i Reporterëve pa Kufij kishte përmendur presionin politik të pushtetit ndaj mediave, bojkotet qeveritare dhe sulmet ndaj gazetarëve.

Ky ka qenë viti i dytë radhazi që Kosova kishte shënuar rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.