Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Faleminderit për ftesën, mund të takohemi vetëm një orë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese

Kryetari i LDK-së i është përgjigjur shpejtë deklarimit të kryeministrit Albin Kurti i cili tha se që qysh sot do t’i dërgojë ftesa atij dhe Bedri Hamzës për takime. Abdixhiku deklaroi se e ka falënderuar Kurtin për ftesën, por se e ka njoftuar se do t’i përgjigjet pozitivisht vetëm në ditën e parë pas verdiktit…

Lajme

13/03/2026 14:59

Kryetari i LDK-së i është përgjigjur shpejtë deklarimit të kryeministrit Albin Kurti i cili tha se që qysh sot do t’i dërgojë ftesa atij dhe Bedri Hamzës për takime.

Abdixhiku deklaroi se e ka falënderuar Kurtin për ftesën, por se e ka njoftuar se do t’i përgjigjet pozitivisht vetëm në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, transmeton lajmi.net.

“Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit.E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”,deklaroi ai.

Abdixhiku tha se “duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund.”

Ai theksoi se verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike.

“Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish.”.

Ndryshe Kurti sot deklaroi se nuk është për zgjedhje të reja, që sipas tij do t’i kushtonin shtetit 10 milionë euro.

“Ajo është presidente si kreu e shtetit, unë jam kryeministri dhe besoj se tani kemi një çështje që ndodhet në Kushtetuese ndërkaq theksi duhet të vihet në faktin se vitin e kaluar patëm 4 palë zgjedhje dhe jam i bindur se nuk kemi pse e përsërisim këtë pasi është vit i ri. S’është e drejtë dhe as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura prandaj duhet pasur marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët presin stabilitet institucional,e  jo zgjedhje të përsëritura. S’ka nevojë për zgjedhje të përsëritura por të kemi aktgjykimin e Kushtetutës të filloj Kuvendi e të punoj. S’bëhet fjalë më kush e ka shumicën dërmuese, por zgjedhjet do kushtonin 10 milionë euro”,deklaroi Kurti.

Kurti tha se s’beson që duhen zgjedhjet e reja, transmeton lajmi.net.

“S’besoj që na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a do t’i bëjmë 80 deputetë. Është e domosdoshme që të funksionalizohet Kuvendi e të mos shkojmë në zgjedhje të panevojshme. Për binden time zgjedhjet s’kanë qenë të mundur të bëhen më 21 dhjetor sepse ekziston edhe shkresa e KQZ-së ku thuhej se është e pamundur për afatet kohore për teknik e logjistik.Kishim dy raunde të zgjedhje lokale e hymë në proceset e zgjedhjeve parlamentare ende pa u bërë certifikimi i atyre lokale. Pra s’ka pasur datë përpos 28 dhjetor.Nëse dikush mendon që më 4 janar as kjo s’ka qenë e mundur për shkak të buxhetit”,shtoi Kurti.

Gjithashtu kryeministri i vendit njoftoi se qysh në fillim të javës do të thërrasë sërish në takim kryetarët e partive opozitare.

“Së pari unë kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy me atë të PDK-së fatkeqësisht në 48 orët e fundit para 5 marsit nuk pat asnjë takim dhe mendoj se kjo ka qenë dëm dhe gabim. Është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit dhe vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale e PDK e kur PDK kërkoi që ne t’ia sigurojmë votat për dy kandidatët e saj pa i treguar emrat, fare. Më pak se 30 orë ne e nxorëm emrin e Konjufcës dhe sërish pritëm e u refuzu takimi me mua. E tri orë para mesnatës nxorëm edhe emrin e Mulhaxha Kollcaku. Besoj se me krerët e opozitës duhet të takohemi e qysh sot do t’u çoj ftesa për t’u takuar qysh në javët e ardhshme. Gjasat për konsensus caktohet vetëm nga të tjerët, pasi gatishmëria jonë për konsensus është e plotë”./Lajmi.net/