MPB mban tryezë informuese në Mitrovicën e Veriut për Ligjin për Automjete dhe Ligjin për të Huaj

Në kuadër të fushatës vetëdijësuese për zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshm, sot kanë mbajtur një tryezë informuese me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut. Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, Shefja e Kabinetit…

Lajme

12/03/2026 17:28

Në kuadër të fushatës vetëdijësuese për zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshm, sot kanë mbajtur një tryezë informuese me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut.

Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, Shefja e Kabinetit të Ministrit, Jeta Tela, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencia e Regjistrimit Civil, Jetmir Haziri, si dhe zyrtarë të lartë të Policia e Kosovës, përfaqësues të MPB-së dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Gjatë tryezës, Shefja e Kabinetit të Ministrit, Jeta Tela, theksoi se qëllimi i këtij takimi është informimi i drejtpërdrejtë i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, lidhur me fushatën informuese që po zhvillon MPB-ja për këto dy ligje.

Ajo bëri të ditur se ligjet në fjalë nuk janë të reja. Sipas saj, Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete nga viti 2017. Megjithatë, institucionet po zhvillojnë këtë fushatë për të siguruar që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informacion të saktë për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore.

Sipas Telës, në kuadër të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, MPB-ja ka ndërmarrë edhe hapa për decentralizimin e tyre. Përveç në Prishtina, aplikimi për leje qëndrimi do të mundësohet edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilani dhe Prizreni. Sipas saj, kjo do të mundësojë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbime për të gjithë ata që preken nga Ligji për të Huaj, përfshirë edhe banorët e komunave të pjesës veriore të vendit.

“Ndërkohë, MPB-ja shprehu zhgënjimin e saj pasi disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë zgjedhur të bojkotojnë këtë takim informues, duke mos shfrytëzuar mundësinë për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë dhe për të marrë pjesë në diskutime rreth këtyre ligjeve. Megjithatë, MPB-ja bëri të ditur se do të vazhdojë të organizojë takime të tilla informuese me qëllim të komunikimit të hapur me qytetarët dhe organizatat. Po ashtu, qytetarët u ftuan që të mos bien pre e dezinformatave dhe për informacione të sakta të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën për mediat të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Pas takimit, zyrtarët e MPB-së vizituan edhe zyrtarët përgjegjës për pranimin e aplikimeve për Ligjin për të Huaj në Komunën e Mitrovicës së Veriut, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e pranimit të aplikimeve pas datës 15 mars 2026”.