Dolën pamje të kampit “Enver Zymeri”, reagon Policia: Ky është sulm ndaj nesh, ato objekte nuk përdoren më

Policia e Kosovës ka reaguar në lidhje me një video që është publikuar dje në portalin VOX Kosova, ku shihen pamje që thuhet të jenë të kampit të Njësive Speciale “Enver Zymeri”. Ato pamje të një objekti të tmerrshëm dhe që nuk i plotësojnë kushtet e punës për këto Njësi, Policia e Kosovës ka thënë…

Lajme

12/03/2026 14:19

Policia e Kosovës ka reaguar në lidhje me një video që është publikuar dje në portalin VOX Kosova, ku shihen pamje që thuhet të jenë të kampit të Njësive Speciale “Enver Zymeri”.

Ato pamje të një objekti të tmerrshëm dhe që nuk i plotësojnë kushtet e punës për këto Njësi, Policia e Kosovës ka thënë se nuk paraqesin gjendjen reale të kampit.

“Kampi “Enver Zymeri” plotëson kushtet e nevojshme për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve policore, përfshirë qëndrimin e zyrtarëve policorë në kamp, zhvillimin e aktiviteteve policore e trajnuese dhe atyre logjistike. Gjendja dhe kushtet e kampit janë krejtësisht ndryshe dhe ndjeshëm më të përmirësuara, falë investimeve të bëra në vazhdimësi. Janë plot 12 projekte investuese të cilat janë realizuar në vitet e fundit në kamp dhe të tjera të cilat janë në proces duke u realizuar”, thuhet në reagim.

Ata kanë thënë se fotografitë që janë publikuar janë disa pjesë të hapësirave jofunksionale dhe të lëna jashtë përdorimit, e që janë zëvendësuar me hapësira, objekte dhe lokacione të reja.

“Andaj, pamjet e publikuara, kurdo që janë incizuar ato, janë sulm që po i bëhet Policisë së Kosovës, si dhe publikim i papërgjegjshëm dhe në shpërputhje me faktet dhe kushtet në terren. Kampi Enver Zymeri po goditet pikërisht sepse në të është investuar dhe sepse dihet që çdo aktivitet apo informatë nga brenda kampit është me ndjeshmëri të lartë dhe nuk mund të ndahen detaje më të thellësishme”, kanë thënë nga Policia.

Ata kanë thënë se i kushtojnë kujdes të vazhdueshëm mirëmbajtjes dhe krijimit të kushteve për punë dhe veprime policore, për të gjithë zyrtarët e saj ndërsa një kujdes të veçantë i kushton krijimit të kushteve dhe ambientit edhe për njësitet speciale operative të PK-së.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit të saktë të publikut, andaj iu bëjmë thirrje mediave dhe qytetarëve që të mbështeten në burime zyrtare dhe të verifikuara para se të shpërndajnë informacione që lidhen me çështje të sigurisë dhe të policisë. Policia e Kosovës do të vazhdojë të kryejë detyrën e saj me profesionalizëm dhe në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor”, ka thënë Policia në reagim. /Lajmi.net/