ORCA me aksion para rektoratit: kundërshton avancimin e profesoreshës në UP
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka mbajtur një aksion para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ku ka kundërshtuar mënyrën se si po trajtohet rasti i avancimit akademik të profesoreshës nga Fakulteti i Edukimit, Fatlume Berisha. Drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Dibran Hoxha është shprehur se kandidatja nuk…
Lajme
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka mbajtur një aksion para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ku ka kundërshtuar mënyrën se si po trajtohet rasti i avancimit akademik të profesoreshës nga Fakulteti i Edukimit, Fatlume Berisha.
Drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Dibran Hoxha është shprehur se kandidatja nuk i plotëson kriteret minimale për zgjedhje në thirrjen e profesorit të rregullt, ndërsa rasti i saj është rikthyer disa herë në procedura shqyrtimi brenda universitetit. Siç tha ai, organizata vlerëson se procesi ka kaluar përtej një vlerësimi të zakonshëm akademik dhe është shndërruar në një përpjekje për të relativizuar kriteret për avancim.
Në mbledhjen e Senatit të 17 dhjetorit 2025, Trupa Këshilldhënëse e Rektorit nuk e kishte rekomanduar kandidaten për avancim, për shkak se ajo nuk i përmbushte kriteret minimale të punimeve shkencore. Megjithatë, rasti është rikthyer për rishqyrtim në Fakultetin e Edukimit, ku është formuar një komision për të vlerësuar kredibilitetin e revistës ku është botuar një nga punimet e saj.
Sipas ORCA-s, një nga punimet ku Berisha është autore korrespondente është botuar në revistën European Journal of Educational Research, e cila figuron në listën e Jeffrey Beall për revista dhe botues të dyshimtë.
“ORCA e konsideron të papranueshme mënyrën se si po tentohet të shtyhet përpara avancimi akademik i Fatlume Berishës nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Edhe pse kandidatja nuk i përmbush kriteret minimale për zgjedhje në thirrjen e profesorit të rregullt. Rasti në fjalë është shndërru në një demonstrim se si një interes personal mund të mobilizojë mekanizma të tërë institucional për ta anashkaluar një vlerësim profesional dhe për të relativizuar kriteret akademike që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë “, tha Hoxha.
ORCA ka kritikuar edhe përbërjen e komisionit që ka shqyrtuar kredibilitetin e revistës, duke theksuar se njëra nga anëtaret ishte edhe autore e punimit në fjalë, gjë që sipas tyre përbën konflikt interesi.
Në reagim thuhet se gjatë mbledhjes së Senatit më 28 janar 2026, Trupat Këshilldhënëse kishin rekomanduar rizgjedhjen e Berishës në titullin aktual dhe jo avancimin. Megjithatë, kandidatja nuk kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme për rizgjedhje, duke mbetur pa vendim.
“Ky rast tregon qartë se si një kandidaturë individuale mund të angazhojë fakultet, senat dhe rektorat në një përpjekje të gjatë për të relativizuar kriteret për avancim. Nuk mundet një kandidat t’i mbivendoset kritereve, një punim problematik të peshojë më shumë se sa rregullat e universitetit dhe një interes personal të mobilizojë mekanizmat institucionalë derisa të prodhohet rezultati që atyre u dëshiruane. Nëse kjo logjikë pranohet, atëherë procesi i avancimeve pushon së qeni akademik dhe shndërrohet në garë lobimi. Në një situatë të tillë, Senati rrezikon të shndërrohet në instrument lobimi, Fakultetet në strehë arsyetimesh, ndërsa Rektorati në mekanizëm shpëtimi për kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret”, tha Hoxha.
ORCA ka kërkuar që Senati i Universitetit të Prishtinës të anulojë vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të rastit dhe që kandidatja të rizgjidhet në titullin ekzistues, duke theksuar se punimet e botuara në revista të listuara si të dyshimta nuk mund të përdoren për avancim akademik./kp