A mund të kthehet Osmani në LDK? – Hoti nuk ia “fal” dëmet që i shkaktoi partisë, Abdixhiku e lë derën hapur për të

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, vetëm edhe tri javë do ta ushtroj këtë detyrë, pasi mandati i saj pesë vjeçar do të përfundoj. Meqë nuk gjeti mbështetje nga kryeministri Albin Kurti për një mandat të dytë, Osmani i ka prishur raportet me të, e pas 5 prillit nuk dihet se në çfarë pozite mund të…

Lajme

12/03/2026 08:48

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, vetëm edhe tri javë do ta ushtroj këtë detyrë, pasi mandati i saj pesë vjeçar do të përfundoj.

Meqë nuk gjeti mbështetje nga kryeministri Albin Kurti për një mandat të dytë, Osmani i ka prishur raportet me të, e pas 5 prillit nuk dihet se në çfarë pozite mund të përfundoj.

Në lidhje me atë se a mund të kthehet Osmani në “shtëpinë e vjetër”, pra në partinë që e formoi politikisht, LDK-në, kryetari i kësaj partie ka dhënë një përgjigje.

Lumir Abdixhiku mbrëmë në një intervistë që ka dhënë në Klan Kosova, i ka lënë një derë hapur Osmanit që të kthehet aty ku e nisi karrierën politike.

Ai ka thënë se Osmani e ka vendin e vet të padiskutueshëm, shkruan lajmi.net.

“Besoj që Osmani është presidente edhe për 25 ditë. Nuk besoj që i ndihmoj presidencës nëse i jap ngjyrim partiak. Pas 25 ditëve mendoj që ka hapësirë të shkëlqyeshme dhe të rrallë të ndodhë një gjë për të cilën jam shumë i interesuar të bëjë bashkimin e madh institucionalistëve të djathtës, të dashamirëve të republikës, në një lëvizje të madhe pro-perëndimore, zhbillimore, të matur e të ditur, që ofron dritë të vërtetë për vendin. Dhe në këtë kuptim hapësira diskutuese me Vjosën është më e mirë se që ka qenë ndonjëherë më parë. Do të ulemi të flasim. Patjetër. LDK i hap dyert e krahur për ata që besojnë. Natyrisht se Osmani (në atë projektim) e ka vendin e vet të padiskutueshëm. Bashkim ose bashkëpunim duhet parë,” tha Abdixhiku.

Por këtë rikthim të saj, nuk po e mbështet deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai në një intervistë për Nacionale, tha se dëmet që Osmani i ka sjell Kosovës janë jashtë çdo etike të sjelljes politike, ndërsa dëmet janë të pariparueshme.

“Është e drejtë e saj si vepron ajo pasi të mbarojë mandatin, është e drejtë e saj, varet nga ajo. Një gjë është e vërtetë që dëmet që i janë shkaktu LDK-së nga ajo personalisht i kanë kushtu vendit dhe LDK-së. Pas 5 viteve, ende kemi pasojat e veprimeve të saj, asaj i ka dhënë LDK-ja gjithçka, duke e kandidu për kryeministre, duke e zgjedhur kryetare të Kuvendit. Veprimet që ka ndërmarrë ajo para 5 vitesh, janë jashtë çdo etike të sjelljes politike, kështuqë nuk e shoh se si mund. LDK është parti e hapur, secili që ka vullnet e që respekton statuin e partisë mund të bashkohet me LDK-në në parim, kanë mbetur plagë nga veprimet e saj politike të pabesa ndaj LDK-së. E ka marrë një pjesë të LDK-së dhe e ka çu në kampin tjetër politik. Dëmet janë të pariparueshme”, tha Hoti në një intervistë.

I pyetur nëse Osmani mund të jetë kandidate për kryeministre apo kryetare e partisë, Hoti tha se LDK-ja ka një rend shtëpie.

“Kemi një rend shtëpie nuk është çështje e dëshirave apo presioneve të rrjeteve sociale, ka një rend shtëpie që duhet të respektohet, kemi disa votues besnik që na kanë qëndruar afër në kohë të mira e të këqija, vullnetin e të cilëve duhet ta marrim parasysh”, tha ai.

Rikthimin e Osmanit në LDK, nuk e ka mbështetur edhe ish-kryetari i kësaj partie si dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai për lajmi.net pak ditë më parë tha se “ata që kërkojnë rikthimin e Osmanit në LDK janë eksponentë të VV-së që vazhdojnë të qëndrojnë brenda LDK-së”.

Rruga që Osmani do të ndjek pas 5 prillit, është ende e paqartë, kjo pasi e njëjta për muaj me radhë kishte shprehur dëshirën e saj edhe për një mandat të dytë si Presidente, por ishte kryeministri Kurti ai që nuk ia dha edhe një mundësi të dytë në krye të shtetit. /Lajmi.net/