Sindikata e Prishtina Parking mban të hënën protestë, kërkojnë rritje të pagës e sigurim shëndetësor
Sindikata e Prishtina Parkingut do të mbaj protestë të hënën më 16 mars 2026 nga ora 13:30. Kjo protestë vjen pasi në takimin e 27 shkurtit të këtij viti, Kryesia e Sindikatës ka thënë se ka shqyrtuar situatën aktuale dhe kërkesat e parashtruara ndaj Bordit dhe Menaxhmentit të Prishtina Parking. “Duke qenë se deri më…
Lajme
Sindikata e Prishtina Parkingut do të mbaj protestë të hënën më 16 mars 2026 nga ora 13:30.
Kjo protestë vjen pasi në takimin e 27 shkurtit të këtij viti, Kryesia e Sindikatës ka thënë se ka shqyrtuar situatën aktuale dhe kërkesat e parashtruara ndaj Bordit dhe Menaxhmentit të Prishtina Parking.
“Duke qenë se deri më tani nuk ka pasur asnjë thirrje për negociata nga Menaxhmenti, as pas mbajtjes së protestës së parë më datë 06.03.2026, si dhe nuk është arritur marrëveshje lidhur me kërkesat e parashtruara nga Sindikata, Kryesia e Sindikatës së Prishtina Parking ka vendosur të vazhdojë me organizimin e protestës së radhës”, ka njoftuar kjo Sindikatë.
Ata kanë treguar se cilat janë kërkesat kryesore të tyre:
1. Rritja e pagës së punëtorëve në vlerë prej 300 (treqind) euro, në përputhje me parimin e pagës së drejtë dhe koston e jetesës.
2. Kryerja e menjëhershme e pagesave të obligimeve ndaj sindikatës, sipas marrëveshjeve dhe legjislacionit në fuqi.
3. Shlyerja e borxhit ndaj punëtorëve në vlerë prej 250 (dyqind e pesëdhjetë) euro, për muajin shtator.
4. Sigurimi i shujtave për punëtorët, në përputhje me natyrën e punës dhe kushtet e punës.
5. Rregullimi dhe pagesa e sigurimit shëndetësor për të gjithë punëtorët, si obligim i punëdhënësit.
“Ky vendim është marrë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e punëtorëve të Prishtina Parking. Në emër të Kryesisë Ekzekutive të Sindikatës së Prishtina Parking”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/