Shteti shtrëngon tregun e derivateve: Kontrollet nisin në gjithë Kosovën, caktohet marzha maksimale
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se është duke zhvilluar mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës për të kontrolluar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe masave mbrojtëse për konsumatorët. Sipas njoftimit, ky vendim është nënshkruar nga ministrja…
Lajme
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se është duke zhvilluar mbikëqyrje intensive në tregun e derivateve të naftës për të kontrolluar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe masave mbrojtëse për konsumatorët.
Sipas njoftimit, ky vendim është nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila dhe synon mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës në treg, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme si dhe parandalimin e çrregullimeve në tregun e derivateve.
Autoritetet kanë bërë të ditur se Administrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut, po analizojnë të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe ato të ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.
Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Doganat e Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë 10 marsit 2026 ka qenë:
Naftë (Dizel): 1.45 euro për litër
Benzinë: 1.17 euro për litër
Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë janë:
Naftë (Dizel): nga 1.44 deri në 1.54 euro për litër
Benzinë: nga 1.18 deri në 1.31 euro për litër
Sipas vendimit të datës 4 mars 2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve, është përcaktuar edhe marzha tregtare maksimale e lejuar, përkatësisht:
2 eurocentë për litër për shitjen me shumicë
12 eurocentë për litër për shitjen me pakicë
Autoritetet sqarojnë se marzha tregtare paraqet dallimin mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin intensiv të tregut të derivateve në bashkëpunim me Doganën, Administratën Tatimore dhe Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës.
Sipas njoftimit, në çdo rast kur identifikohen parregullsi, mosrespektim i vendimit për marzhën tregtare apo praktika që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze sipas legjislacionit në fuqi. /Lajmi.net/