​Ambasada e Francës dhe Komuna e Prishtinës nënshkruajnë marrëveshje kundër dhunës ndaj grave

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe rritjen e sigurisë publike. Në kuadër të kësaj nisme u prezantua edhe një aplikacion përmes të cilit gratë mund të raportojnë ngacmimet seksuale apo situatat e pasigurisë në hapësirat publike. Po…

Lajme

11/03/2026 13:26

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe rritjen e sigurisë publike. Në kuadër të kësaj nisme u prezantua edhe një aplikacion përmes të cilit gratë mund të raportojnë ngacmimet seksuale apo situatat e pasigurisë në hapësirat publike.

Po ashtu, në Institutin Francez sot është hapur edhe një kënd i letërsisë feministe, si dhe një kënd tjetër që përfaqëson gruan.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, tha se diplomacia feministe është pjesë përbërëse e diplomacisë franceze dhe se ajo zbatohet në disa drejtime, duke filluar nga politikat e brendshme institucionale.

“Diplomacia feministe është një pjesë integrale e diplomacisë franceze. Ajo zhvillohet në drejtime të ndryshme. Së pari, brenda vendit, sepse duhet të bëjmë detyrat tona. Kjo do të thotë të sigurohemi që koleget e reja gra të kenë qasje të barabartë në pozita më të larta.. Ne kemi një qëllim që 40 përqind e ambasadorëve tanë për herë të parë të jenë gra, dhe e kemi arritur këtë qëllim në vitet e fundit.. Ne kemi disa programe për të ndihmuar koleget gra të zhvillojnë karrierën e tyre. Gjithashtu, brendshëm, bëhet fjalë për një politikë zero-tolerancë. Në ambasadë kemi pika kontakti, në Ministri kemi linja të këshillimit ku çdo koleg mund të telefonojë për ndihmë nëse ndodh një situatë e sikletshme, ngacmim, ngacmim seksual apo qëndrime seksiste. Emri i programit është Zero Tolerance, dhe e marrim shumë seriozisht. Çdo ambasadë duhet të ketë një pikë kontakti”, tha Guerot.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se komuna po punon për fuqizimin e grave përmes arsimit, kulturës dhe mbështetjes institucionale.

“Jam shumë i kënaqur që edhe në Komunën e Prishtinës jemi të njëjtit mendim përsa i përket qasjes sonë për fuqizimin e grave, jo vetëm përmes letërsisë, por edhe përmes proceseve, dhe kemi investuar shumë në sistemin tonë arsimor, sepse mënyra më e mirë për të fuqizuar gratë tona është t’u ofrojmë atyre mundësinë, mundësinë e barabartë për t’u arsimuar, dhe pastaj edhe me kabinetet dhe pozitat tona, për të siguruar që jo vetëm të plotësojmë kriteret, por edhe t’i tejkalojmë ato, që të kemi, të paktën përfaqësim 50-50, në mënyrë që gratë të ndihen të fuqizuara. Këtë e bëjmë në shumë fusha, jo vetëm përmes arsimit, por edhe përmes sportit, kulturës. Punojmë me disa OJQ që tani po hapim galeri dhe teatro për të fuqizuar edhe gratë themeluese të këtyre organizatave, si dhe në pozita menaxheriale, dhe me grante të veçanta për gratë në biznes për t’i ndihmuar ato”, tha Rama. /kp