Muhamet Hamiti: 2025 vit i fituar për VV-në, por i humbur për Kosovën
Anëtari i Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës, Muhamet Hamiti, ka reaguar për zhvillimet politike në vend, duke vlerësuar se viti 2025 ka qenë i humbur për Kosovën, por i fituar për Lëvizja Vetëvendosje. Përmes një postimi në Facebook, Hamiti ka shkruar se, sipas tij, VV-ja kishte bllokuar funksionimin e institucioneve gjatë gjithë vitit pas…
Lajme
Anëtari i Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës, Muhamet Hamiti, ka reaguar për zhvillimet politike në vend, duke vlerësuar se viti 2025 ka qenë i humbur për Kosovën, por i fituar për Lëvizja Vetëvendosje.
Përmes një postimi në Facebook, Hamiti ka shkruar se, sipas tij, VV-ja kishte bllokuar funksionimin e institucioneve gjatë gjithë vitit pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, ndërsa në zgjedhjet e dhjetorit arriti të fitojë 51 për qind të votave.
“Mbasi e bllokoi funksionimin e institucioneve gjatë gjithë vitit, mbas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, VV-ja i fitoi zgjedhjet me 51% në dhjetor. Në vend se të ndëshkohej për paralizim të shtetit, u shpërblye elektoralisht”, ka shkruar Hamiti.
Ai shtoi se viti 2025 ishte një vit i humbur për Kosovën, por një vit i fituar për VV-në dhe liderin e saj, Albin Kurtin.
Hamiti gjithashtu ka paralajmëruar se, sipas tij, edhe viti 2026 mund të jetë në humbje për Kosovën, duke theksuar se Kurti nuk do të qeverisë me rregulla demokratike, por do të sundojë. /Lajmi.net/