“Viktimat ende nuk janë të identifikuara” – Tragjedia në Zvicër, Ambasada e Kosovës thotë që ende nuk dihet nëse ka kosovarë në mesin e tyre

Një tragjedi ka ndodhur mbrëmë në Zvicër, saktësisht në Murtenstrasse në Chietres. Një autobus është djegur dhe për pasojë, deri më tani dyshohet se kanë vdekur gjashtë persona dhe pesë persona janë lënduar, tre prej të cilëve është raportuar se janë në gjendje të rëndë. Sipas informatave të deritanishme që janë raportuar në media zvicerane,…

Lajme

11/03/2026 10:04

Një tragjedi ka ndodhur mbrëmë në Zvicër, saktësisht në Murtenstrasse në Chietres.

Një autobus është djegur dhe për pasojë, deri më tani dyshohet se kanë vdekur gjashtë persona dhe pesë persona janë lënduar, tre prej të cilëve është raportuar se janë në gjendje të rëndë.

Sipas informatave të deritanishme që janë raportuar në media zvicerane, një person ka lyer veten me benzin brenda në autobus dhe i ka vërë flakën vetes duke shkaktuar dëme shumë të mëdha në njerëz.

Në një video që është publikuar në rrjete sociale, dëgjohen disa persona teksa flasin shqip.

“O e ka djeg veten bre”, dëgjohet teksa thotë në shqip një burrë që bisedon me dikë tjetër.

Lajmi.net ka pyetur Ambasadën e Kosovës në Zvicër nëse deri tani dihet a ka apo jo ndonjë viktimë nga Kosova që jeton atje, por që të njëjtit kanë thënë se ende nuk kanë informacione.

“Për momentin nuk ka asnjë informatë zyrtare nga autoritetet zvicerane për këtë aksident. Viktimat ende nuk janë të identifikuara”, kanë thënë nga Ambasada e Kosovës në Zvicër për lajmi.net.

Gazeta Blick ka publikuar fotografi të autobusit të djegur, i cili është bërë shkrumb e hi. /Lajmi.net/