Kurti bisedon me komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos për reformat dhe integrimin evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku është diskutuar për procesin e zgjerimit dhe ecurinë e reformave të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, gjatë bisedës u trajtuan edhe zhvillimet aktuale në vend dhe në…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ku është diskutuar për procesin e zgjerimit dhe ecurinë e reformave të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, gjatë bisedës u trajtuan edhe zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, si dhe prioritetet e qeverisë në rrugën drejt integrimit evropian.
“Kryeministri Kurti theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, pas miratimit të këtij plani, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë një sërë hapash për zbatim, të cilët lidhen ngushtë me miratimin e ligjeve në Kuvend dhe kapin vlerën rreth 90 milionë euro.
Në njoftim theksohet se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti ka nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE.
“Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.