​Emërimi i anëtarëve të KQZ-së është një proces që udhëhiqet nga presidentja – Kush do të jenë anëtarët e rinj të KQZ-së?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm të organizojë zgjedhje të reja nëse ato shpallen, megjithëse thonë se procesi mund të paraqesë sfida për shkak të afateve të shkurtra. Sfida të organizimit dhe administrimit të procesit të ri zgjedhor presin edhe në Institutin Demokratik të Kosovës. Madje, sipas tyre, problematike është edhe mosnisja e…

Lajme

09/03/2026 15:38

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm të organizojë zgjedhje të reja nëse ato shpallen, megjithëse thonë se procesi mund të paraqesë sfida për shkak të afateve të shkurtra. Sfida të organizimit dhe administrimit të procesit të ri zgjedhor presin edhe në Institutin Demokratik të Kosovës. Madje, sipas tyre, problematike është edhe mosnisja e procedurave për anëtarët e rinj të kësaj trupe zgjedhore. KosovaPress ka pyetur në Zyrën e Presidencës se kur do t’iu dërgojnë shkresat partive politike për dërgimin e emrave të rinj në KQZ, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pas dështimit për të zgjedhur presidentin deri më 5 mars. Megjithatë, ky dekret dhe procedura e zgjedhjes së presidentit janë dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatë Kushtetuese, duke vlerësuar jokushtetuese dhe kërkuar mes tjerash edhe masë të përkohshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për KosovaPress se organizimi i një procesi të ri zgjedhor për Kuvendin e Kosovës menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit përbën sfidë për institucionin dhe stafin e tij.

Sipas tij, pavarësisht vështirësive, KQZ-ja është e obliguar që të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

“Organizimi i një procesi të ri dhe të parakohshëm zgjedhor për Kuvendin e Kosovës brenda një kohe të shkurtër pas përmbylljes së zgjedhjeve sigurisht përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj. Megjithatë, si institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve, KQZ-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të reja kurdo që kërkohet”, deklaron Elezi.

Nga ana tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thekson se edhe pse KQZ-ja në të kaluarën ka administruar procese zgjedhore brenda afateve të shkurtra, organizimi i zgjedhjeve të reja pritet të sjellë vështirësi shtesë, sidomos duke pasur parasysh sfidat e evidentuara në procesin e fundit zgjedhor.

Sipas tij, mungesa e kohës së mjaftueshme për të ndryshuar rregullat dhe procedurat administrative nënkupton se vendi mund të hyjë sërish në zgjedhje me të njëjtin kuadër ligjor që ka ndikuar në problemet e evidentuara në zgjedhjet e fundit.

“Edhe pse KQZ-ja në të kaluarën ka treguar që në fakt administron zgjedhje shpeshherë në mënyrë më efikase në afate të shkurtra sesa në afate gjashtëmujore. Padyshim, mbajtja e zgjedhjeve sërish është një situatë e cila do t’i sjellë vështirësi KQZ-së sa i përket administrimit. Sidomos kjo duke marrë parasysh sfidat të cilat i kemi hasur gjatë procesit të kaluar zgjedhor, sidomos në raport me procedurat e numërimit, verifikimit e të tjera. Mungesa e hapësirës kohore që KQZ-ja të kryejë punën e nevojshme për t’i ndryshuar rregullat përkatëse për administrim më efikas nënkupton që vendi edhe njëherë do t’i futet procesit zgjedhor me një kuadër ligjor i cili në masë të madhe ka kontribuar në një situatë të tillë çfarë e patëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit, pa anashkaluar normalisht edhe përgjegjësinë individuale të komisionerëve”, deklaron ai.

Cakolli gjithashtu thekson se një nga problemet kryesore mbetet përbërja e KQZ-së, pasi afati ligjor për dërgimin e propozimeve për anëtarët e rinj është drejt fundit.

Sipas legjislacionit në fuqi, partitë politike kanë një javë kohë për të propozuar emrat e tyre për anëtarë të KQZ-së, ndërsa presidentja ka edhe pesë ditë të tjera për dekretimin e tyre.

“Më së keqi situata është sa i përket përbërjes së KQZ-së, meqenëse tashmë jemi në ditët e fundit të afatit ligjor për dërgimin e shkresës nga ana e presidentes, e cila vlerësoj që përkundër faktit që ka pasur hapësirë kohore pra deri më 11 mars, është dashur që këtë ta bëjë shumë më herët, duke pasur parasysh problemet që ka në raport me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje. Në anën tjetër, tashmë legjislacioni zgjedhor nuk e lejon mundësinë e vazhdimit automatik të mandatit të përbërjes aktuale siç ka qenë me ligjin e kaluar dhe që për rrjedhojë duhet që presidentja ta përmbyllë këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që në rast të zgjedhjeve eventuale të mos kemi një KQZ të cilës i kontestohet edhe legjitimiteti si e tillë… Në bazë të ligjit, partitë politike e kanë të caktuar afatin ligjor brenda të cilit duhet të ofrojnë përgjigje. Në këtë rast, subjektet politike kanë një javë kohë që të dërgojnë emrat e tyre për dekretim nga ana e presidentes, ndërsa presidentja ka pesë ditë të tjera kohë për ta vendosur çështjen e dekretimit të tyre”, shton ai.

Në këtë kontekst, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thekson se çështja e emërimit të anëtarëve të rinj nuk është kompetencë e KQZ-së për t’u interpretuar, pasi procesi udhëhiqet nga presidentja e vendit.

“Kjo është një çështje që nuk i takon KQZ-së të interpretojë drejtpërdrejt. Dihet se emërimi i anëtarëve të KQZ-së është një proces që udhëhiqet nga presidentja”, thekson Elezi.

KosovaPress ka pyetur edhe në partitë politike se kënd do ta dërgojnë në KQZ si dhe a kanë pranuar shkresat e presidentes për emrat e rinj që do t’i dërgojnë në KQZ, mirëpo të njëjtit nuk kthyen përgjigje.

Në bazë të zgjedhjeve të fundit, LVV-së dhe PDK-së i takojnë dy anëtarë në KQZ, LDK-së një, AAK-së një, si dhe nga një anëtar minoritetit serb dhe turk. /