Haxhiu: Kuvendi nuk mund të vazhdojë punën, vetëm nëse merret vendim për masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot VV-ja do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me dekretin, sipas saj jokushtetues të presidentes Osmani. “Sa i përket çështjes për të cilën jeni të interesuar tashmë pritet që grupi parlamentar i Vetëvendosjes ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot VV-ja do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me dekretin, sipas saj jokushtetues të presidentes Osmani.
“Sa i përket çështjes për të cilën jeni të interesuar tashmë pritet që grupi parlamentar i Vetëvendosjes ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese lëndën që ndërlidhet me dekretin jokushtetues të presidentes Osmani. Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt së pari masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme, prandaj le ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese në raport me situatën aktuale”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi i presidentes për të shpërndarë kuvendin për të ka qenë befasi sepse sipas saj është jokushtetues, është i ngutshëm.
“Nëse ka dekret për shpërndarje të kuvendit, kuvendi nuk mund të vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë. Siç e dini ne kemi shumë punë për të bërë. Kuvendi është konstituuar në një kohë shumë të shpejtë pas certifikimit të rezultateve, kemi arritur që të votojmë marrëveshje ndërkombëtare shumë të rëndësishme, shumë marrëveshje ndërkombëtare të tjera na presin nëse kuvendi do të vazhdojë punën. Kemi arritur që të votojmë buxhetin për vitin 2026. Vendimi i presidentes për të shpërndarë kuvendin për mua ka qenë befasi sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe natyrisht që si të tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e kuvendit. Ju e dini që Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh rrethanat se kur shpërndahet Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj në këtë aspekt nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës prandaj mendoj që këtij vendimi nuk duhet t’i gëzohej asnjë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse realisht është minim i punës së kuvendit dhe minim i institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Haxhiu tha se fjalët e thënë në seancën e 5 marsit, ishin të aktgjykimit Kushtetues.
“Në secilën paraqitje që unë kam pasur, përfshirë edhe të tjerë të cilët unë i kam dëgjuar (ka pasur raste të cilat unë nuk kam arritur që t’i dëgjoj), ne kemi thënë që janë dy rrethana kur vendi shkon në zgjedhje. Në rastin e presidentit e para kur kalojnë 60 ditë, dhe ky nuk është rasti sepse nuk janë përmbushur 60 ditë, ne vetëm sa kemi nisur procedurat sepse kushtetuta i përmend nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit. Dhe në anën tjetër kur në raundin e tretë asnjëri kandidat nuk arrin që të marrë votat për t’u bërë president. Pra nuk ka një rrethanë siç e kemi pasur ne”, tha ajo.
“Të lutem vetëm ta përfundoj, nuk ka një rrethanë siç e kemi pasur ne ku nuk ka kuorum sepse deputetët nuk e zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon që të jenë aty dhe në rast se nuk vijnë në seancë të arsyetojnë mungesën e tyre. Fjalët që unë i kam thënë në foltoren e kuvendit gjatë kryesimit të kësaj seance nuk janë fjalë të cilat i kam shkruar unë. Janë aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të cilin e kam lexuar në seancën për zgjedhjen e presidentit. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës mendoj që duhet t’i braktisin këto forma të tyre që pamundësojnë konstituimin e institucioneve. Ju e dini që situatën e ngjashme e kemi pasur edhe vitin e kaluar me rastin e mos konstituimit të kuvendit pastaj votimit të qeverisë por tash e nisëm mbarë por ja që doli dekreti për shpërndarjen e kuvendit dhe ne jemi në një situatë të tillë. Edhe një herë thërras Gjykatën Kushtetuese pa dashur që të kuptohet kjo si ndonjë ndërhyrje por situatat aktuale janë të tilla që nevojitet vigjilencë, vëmendje, shpejtësi, profesionalizëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe natyrisht thërras që të gjithë ta lënë Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë punën e saj sepse jam e bindur që në rrethana të tilla gjykata mund të vendoset në presione nga kushdo prandaj është e rëndësishme që gjykata ta bëjë punën sa më profesionale dhe sa më shpejt. Sepse është e rëndësishme që kuvendi të vazhdojë punën. E ka përmendur edhe kryeministri atë ditë, pra kur unë e njoftova me dekretin për shpërndarjen e kuvendit, për të cilën nuk kam pasur asnjë informacion më herët. Si kryetare e kuvendit të paktën është dashur që të konsultohem në raport me një situatë të tillë. Unë në atë moment kam ngarkuar komisionin përkatës për buxhet që të merret me trajtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga të cilat Kosova përfiton shumë. Prandaj nuk e kuptoj këtë qasje, por thonë qytetarët apo thotë populli që fundi i rikuptimson fillimin, prandaj le të presim dhe të shohim”, tha ajo.